Po drejtohet drejt shtatores së babait të tij.
Ky është vendi i vetëm ku mund të shkojë në 28-vjetorin e zhdukjes së tij.
Gentrit Shala ishte vetëm tre vjeç kur mori lajmin se babai i tij, Hafir Shala, kishte rënë në duart e forcave serbe.
E nga ai moment asgjë nuk u bë e ditur për fatin e mjekut të parë të UÇK-së.
“Fatkeqësisht babin nuk e mbaj mend fare, pasi që ditën kur është arrestua dhe është zhduk ai, unë kam qenë vetëm tre vjeç. Babin e kujtoj vetëm përmes rrëfimeve të familjes, miqve, shokëve të tij, të cilët kanë pas fatin të njihen, të jenë bashkëveprues në këtë çështje kombëtare”, thotë djali i Hafir Shalës, Gentriti.
Kujtime më të freskëta për Shalën ka bashkëpunëtori i tij, Idriz Hyseni.
Ai tregon se në atë kohë e kishin vendosur së bashku që mos udhëtonin drejt Prishtinës.
Por mendja, doktor Shalës, i ishte ndryshuar kur mori një telefonatë.
“Qysh më kanë thonë motrat medicinale ku ka punu në Baicë, e ka thirr dikush edhe i kanë thonë që e kemi gjet një rentgen mobil. Ajo ka qenë kurthë, të cilën e kanë qit në kurth për me çu me arrestua”, thotë Idriz Hyseni.
E atë ditë, Hyseni thotë se cak kishte qenë edhe ai.
“Ajo pritje ka qenë se kanë dashtë dyve me na marrë, jo vetëm atë, edhe mu të më marrin, por atë ditë s’kam qenë me ta dhe fatkeqësia e tij ka qenë pikërisht se atë e kanë arrestu, edhe mu kanë tentu mas nesër me më arrestu, por u kam ik”, thotë Idriz Hyseni.
Shala në një periudhë kishte qëndruar edhe në burg.
Besim Baraliu, me të cilin kishte ndarë qelinë, kujton mesazhet që përcjellte Shala vazhdimisht.
“Kishte shumë mesazhe, por gjithë mesazhet e tij ishin si porosi që të bartet vetëdija kombëtare tek të rinjtë në mënyrë që të mos ta durojnë robërinë dhe të ngriten ashtu siç u ngritën, të fitojmë lirinë siç e fituam”, thotë Baraliu.
Mjeku Hafir Shala ishte zënë në pritë nga forcat serbe pasi kishte marrë rrugën nga Drenasi për në Prishtinë.
Që nga ajo ditë, 28 vjet më parë, nuk dihet gjë për fatin e mjekut të luftës.






