Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, tha se Ligji duhet të jetë i orientuar për tërheqjen e kapitalit të diasporës për investime dhe jo që kjo pjesë e shoqërisë të shihet vetëm si ndihmë në aspektin financiar.
Sipas tij, hyrja në fuqi e një ligji të tillë do të kishte ndikim në aspektin ekonomik, social, integrues e mbi të gjitha në atë psikologjik.
“Unë besoj që është një ide e qëlluar, paksa e vonuar sepse një ligj i tillë ka pas nevojë të jetë i miratuar para sa e sa viteve në Parlamentin e Kosovës. Duke pasur parasysh potencialin dhe kontributin që jep diaspora për Kosovën, besoj është një ligj me rëndësi multidimensionale, është i rëndësishëm definitivisht në aspektin ekonomik, social, integrues po mbi të gjitha në aspektin psikologjik sepse diaspora e meriton një tretman dhe një respekt për atë çka ka bërë për Kosovën. Besoj që ky ligj do të përfshijë në vete shumë pyetje që janë esenciale për të shfrytëzuar potencialin e diasporës”, tha ai.
“Po mbi të gjitha duhet të kuptohet që nuk i bëhet nder Kosovës, gjithmonë diaspora e Kosovës të analizohet vetëm nga dimensioni financiar. Neve na duhet edukimi, kultura e tyre, tradita e punës. Duhet të kuptohet që ata janë ambasador të shpirtit të Kosovës dhe diplomacia ekonomike e politike duhet të jetë e fuqizuar me kontributin e diasporës dhe në aspektin financiar është më se e nevojshme që vërtetë ta kemi një ligj të veçantë që do të jetë i orientuar për tërheqjen kapitale të diasporës një ligj të veçantë që do të jetë i orientuar për tërheqjen kapitale të diasporës. Të jetë një ligj i cili do t’i eliminoj procedurat burokratike dhe korrupsionin eventual”, shtoi Gërxhaliu.
Përderisa Lirim Krasniqi nga organizata “Germin”, thotë se kanë sugjeruar Ligji i ri ta bëjë më të qartë përgjegjësinë e institucioneve të Republikës së Kosovës karshi diasporës.
“Projektligji i ri për diasporën dhe mërgatën është vazhdimësi e projektligjit të kaluar. Për dallim nga projektligji i kaluar ne kemi sugjeruar dhe kërkojmë gjithashtu që ky projektligj ta bëjë më të qartë përgjegjësinë e institucioneve të Republikës së Kosovës të cilat janë të mandatuara për të punuar dhe për të angazhuar diasporën dhe gjithashtu për të mirëmbajtur lidhjet me të gjithë bashkatdhetarët tanë të cilët duan të jenë në një mënyrë ose tjetër të lidhur me Kosovën”, tha ai për EO.
Ai pohon se ka munguar koordinimi ndërinstitucional sa i përket angazhimit të diasporës.
“Në të kaluarën ka pasur një mungesë të koordinimit ndërinstitucional sa i përket punës për angazhimin e diasporës dhe është e rëndësishme që në këtë projektligj të jenë të qarta përgjegjësitë e secilit institucion i cili punon me diasporën edhe të bëhet e qartë struktura e ministrisë së Punëve të jashtme dhe Diasporës duke qenë se ka pasur një fuzionim të ish-ministrisë së Diasporës dhe që nga momenti i fuzionimit akoma nuk është e qartë përgjegjësia e të gjithë zyrtarëve që kanë punuar në ish-ministrinë e Diasporës tani në ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës prandaj është shumë e rëndësishme që ky ligj të jetë sa më specifik në kuptimin e përgjegjësive dhe roleve të cilat institucionet e Kosovës i kanë karshi diasporës”, shtoi Krasniqi.
Sa i përket përfaqësimit të mërgimtarëve në institucione ai thotë se kjo ka të bëjë me vullnetin e partive politike, duke shtuar se ata duhet të jenë pjesë vendimmarrëse e zhvillimit dhe proceseve në Kosovës.
Por ai thotë se duhet të ketë debate të shumta më ekspertë të diasporës të sektorëve të ndryshme, asociacionet e biznesit dhe dikasteret që kanë të bëjnë me ekonomi dhe diplomaci ekonomike.
Madje sipas tij, Ligji duhet të marrë formën sa më parë në mënyrë që mos të jetë vetëm një dekor për zyret e Qeverisë po do të jetë në funksion të zhvillimit, të avancimit dhe të përafrimit të diasporës me Kosovën.
“Sa i përket përfaqësimit kjo ka të bëjë më shumë me vullnetin e partive politike të gjithë aktorëve politik në Kosovë në nivelin që ata duan t’i japin hapësirë diasporës për të qenë pjesë vendimmarrëse e zhvillimit dhe proceseve në Kosovës. Ka qenë në diskutim më herët gjithashtu edhe krijimi i një zone të veçantë për diasporën mirëpo kjo kërkon një shumicë të kualifikuar në Kuvendin e Kosovës. Rrjedhimisht edhe shumicën e dyfishtë, pra votën e shumicës së deputetëve nga pakicat dhe duke i pasur parasysh rrethanat aktuale është vështirë që mund të realizohet diçka e tillë. Por, ne kemi avokuar në vazhdimësi që partitë politike, por edhe Qeveria të krijoj hapësirë të mjaftueshme që të gjithë atë kapital njerëzor që e kemi në diasporë ta absorbojmë duke i bërë pjesë të institucioneve dhe duke ua mundësuar që të japin kontributin e tyre përmes njohurive dhe ekspertizës që ata kanë”.
“Është koha kur duhet të ketë një dialog të veçantë, në rend të parë iniciativa duhet të vijë nga vetë Qeveria, duhet të ketë debate të shumta ku në këto debate do të jenë ekspert të diasporës të sektorëve të ndryshme, por kuptohet edhe asociacionet e biznesit dhe dikasteret që kanë të bëjnë me ekonomi dhe diplomaci ekonomike. Prandaj besoj që duhet të gjenerojnë në vete një kulturë të debatit, një transparencë e vetëm në këtë mënyrë bashkërisht ta draftojmë një dokument, i cili nuk do të jetë vetëm një dekor për zyrat e Qeverisë po do të jetë në funksion të zhvillimit, të avancimit dhe të përafrimit të diasporës me Kosovën”, ka shtuar ai.