Mungesa e institucioneve legjitime në Kosovë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, si dhe protestat e vazhdueshme në Serbi, e kanë lënë nën hije dialogun e Brukselit, thonë njohësit e këtij procesi.
Përkundër mesazheve të presidentit francez, Emmanuel Macron për rëndësinë e dialogut, pritjet për progres drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve janë të vogla.
Në Bashkimin Evropian, në një përgjigje për KosovaPress, thonë se po punojnë me palët drejt një normalizimi të plotë të raporteve Kosovë-Serbi, duke adresuar të gjitha çështjet e pazgjidhura.
Të njëjtit theksojnë se mundësia e takimeve të reja trilaterale në Bruksel varet nga gatishmëria e palëve.
Në lidhje me deklaratat e Macronit të dielën pas bisedës me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kemi dërguar pyetje edhe në qeverinë në detyrë, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Kosova dhe Serbia janë dakorduar në vitin 2023 për Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe më pas për aneksin e Ohrit, mirëpo kjo ujdi ende nuk ka gjetur zbatim.
Një zëdhënës i Bashkimit Evropian thotë për KosovaPress se presin që Kosova dhe Serbia t’i përmbushin me shpejtësi angazhimet e tyre në kuadër të normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve mes tyre.
Sipas tij, rruga e dy vendeve drejt Bashkimit Evropian kalon përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja:
“BE, si një lehtësues i Dialogut, është duke punuar me palët drejt një normalizimi të plotë të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, duke adresuar të gjitha çështjet e pazgjidhura. BE-ja pret që Serbia dhe Kosova të përmbushin me shpejtësi angazhimet e tyre në kuadër të Dialogut, duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë midis normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve dhe perspektivave konkrete për aspiratat e tyre për anëtarësim në BE. Rruga drejt Bashkimit Evropian për të dyja palët kalon përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në përgjigje.
Profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, thotë se dialogu gjatë vitit 2025 ka ngecur, mes tjerash, edhe për shkak të krizës politike në Kosovë.
Sipas tij, asnjë qeveri në detyrë nuk mund të negociojë diçka pa pasur legjitimitet të plotë.
“Sa i përket palës kosovare, ka pasur një mangësi të madhe në atë se kush është përgjegjës. Qeveria kur i konvenon merr përgjegjësi, ndërsa kur nuk i konvenon thotë se është qeveri në detyrë. Mos të harrojmë se ne jemi pa parlament që nga fundi i dhjetorit dhe, normalisht, asnjë qeveri nuk mund të negociojë diçka pa e ditur se si do të zhvillohet gjithë procesi i legjitimitetit. Kjo është arsyeja kryesore pse Kosova është vonuar në shumë gjëra”, thekson ai.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur së fundmi për shkak të arrestimit në Kosovë të zyrtarit serb, Igor Popoviq, mbi akuzat për nxitje të urrejtjes dhe përçarjeve etnike.
Ndërkohë, Serbia ka arrestuar ish-zyrtarin policor, Arbnor Spahiu, në muajin qershor, me pretendime që lidhen me sulmin terrorist serb në Banjskë, ku mbetën të vrarë edhe tre sulmues.
BE-ja më herët ka bërë thirrje që të shmangen veprimet e njëanshme që ndikojnë në rritjen e tensioneve dhe që shkojnë kundër frymës së normalizimit.
Në lidhje me mundësitë që të ketë takime bilaterale dhe trilaterale në nivel të kryenegociatorëve dhe në nivel teknik, në kryeqendrën evropiane thonë se janë të gatshëm të presin raundin e ardhshëm të bisedimeve, mirëpo kjo varet nga gatishmëria e palëve.
“Dialogu vazhdon me takime të rregullta bilaterale dhe trilaterale në nivel të kryenegociatorëve dhe në nivel teknik. Takimi i fundit trilateral në nivel të kryenegociatorëve u mbajt në qershor. BE-ja është e gatshme të presë raundin e ardhshëm të bisedimeve sapo palët të sinjalizojnë gatishmërinë, përfshirë edhe në nivelin më të lartë. Takimet e ardhshme do të njoftohen me kohë”, thuhet më tej në përgjigjen e bllokut.
Megjithatë, përkundër mundësisë së takimeve të ardhshme, profesori Arifi thotë se nuk pret asgjë konkrete në drejtim të zbatimit të marrëveshjeve dhe normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi.
Sipas tij, ka shumë fjalë dhe pak punë, veçanërisht nga ndërmjetësit e dialogut. Ai nënvizon nevojën që Serbia të sanksionohet nga BE-ja, pasi ajo ka shkelur marrëveshjen që në fillim.
Prandaj, sipas tij, edhe presidenti Macron, kur flet për veprime të njëanshme që dëmtojnë procesin, duhet ta drejtojë gishtin kah Serbia.
Serbia, në dhjetor të vitit 2023, ka dërguar një letër në Bruksel ku ka bërë të ditur se nuk do të zbatojë pika të caktuara të Marrëveshjes Bazë, në të cilat sipas institucioneve të Kosovës, është e përfshirë njohja de-facto e Kosovës nga Serbia.
“Ka shumë fjalë dhe pak punë. Kjo vlen për të gjitha palët, por sidomos për Bashkimin Evropian. Nëse do të duhej të sanksionohej dikush, atëherë Serbia duhej që në fillim, pasi e ka shkelur marrëveshjen që në ditën që e ka dhënë zotimin se do ta zbatojë. Zoti Macron po flet në kohën e ardhshme të pakryer, në vend që të flasë për kohën e tashme. Edhe në temën e të pagjeturve është Serbia ajo që nuk po dëshiron t’i japë fund. Ka shumë pikëpyetje, zbrazëti dhe paqartësi”, shton ai.
Në shkurt të vitit 2025, është emëruar emisari i ri për dialogun, diplomati danez Peter Sorensen.
Ai gjatë këtij viti ka mbajtur disa takime në kuadër të dialogut, mirëpo të njëjtat nuk kanë prodhuar rezultate konkrete.