Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i ka bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji që të rishqyrtojë vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Sipas DHTIK as qytetarët, as biznesi dhe as ekonomia nuk duhet të paguajnë shkaku i problemeve dhe dështimeve të tjera.
“Meqenëse ZRRE-ja është duke e mbajtur mbledhjen i bëjmë thirrje që të rishqyrtojë siç duhet këtë vendim të mos paguajnë qytetarët dhe biznesi dhe ekonomia shkaku i problemeve dhe dështimeve të tjera”, ka thënë drejtori ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK), Kushtrim Ahmeti në konferencën e mbajtur në lidhje me paralajmërimet për rritjen e çmimit të energjisë.
Ahmeti po ashtu u ka bërë thirrje të gjitha bizneseve që të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar për ditën e sotme nga iniciativa “Asnjë cent më shumë” kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.
“Iu bëjmë thirrje të gjitha bizneseve që të marrin pjesë edhe në protestën e sotme që do të mbahet nga shoqëria civile sepse rritja e çmimit të energjisë e ka efektin zingjiror në përgjithësi në vendin tonë dhe kjo pastaj lë pasoja të gjata, ne e kemi parë edhe viteve të kaluara ku është rritur çmimi i energjisë”, është shprehur ai.
Ai po ashtu ka shtuar se rritja e çmimit të energjisë elektrike në këtë kohë rrezikon vendet e punës.
“Rritja në këtë kohë e çmimit të energjisë do të ketë ndikime të mëdha në rënien e vetë aktivitetit biznesor të prodhuesve tonë, rrezikon vendet e punës si dhe bien të hyrat e buxhetit të vendit”, ka shtuar Ahmeti.
Ndërkaq, kryetari i kuvendit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Hamdi Malushaj ka shprehur shqetësimin lidhur me procesin e liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë.
“Kosova është vendi më i parregulluar për tregun e hapur. Komponentët e liberalizimit të tregut të hapur janë shumë strikte….Unë kërkoj komision parlamentar që ta shqyrtojnë, ta pyesin ZRrE-në se cilët komponentë janë plotësuar”, ka thënë ai.
Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), ka nisur mbledhjen ku pritet vendimi mbi propozimin për rritjen e çmimit të rrymës për 15 për qind.
Ndërkohë, një protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike është paralajmëruar të mbahet sot (11 prill) nga ora 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.