Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për investime të qëndrueshme.
Në anën tjetër, mazhoranca dështoi të miratojë Projektligjin për tekstet shkollore si dhe të votojë për tre anëtarët vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, pasi katër deputetë të pushtetit nuk morën pjesë në votim.
Në seancën e sotme plenare, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca nuk i hodhi në votim marrëveshjet ndërkombëtare, pasi ishin në sallën plenare vetëm 74 deputetë.
Ndërkaq, kabineti qeveritar edhe në seancën e sotme nuk pranoi të përgjigjet në pyetjet parlamentare të deputetëve opozitarë që nuk po votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.
“Dritë të gjelbër” iu dha Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për metrologji.