Në pjesën e dytë të seancës së sotme, Ibishi u është përgjigjur pyetjeve të Prokurorisë.
Prokurori i ZPS-së pyeti nëse njësiti BIA ka raportuar tek komanda e zonës operative, për çka dëshmitari i mbrojtjes, Nuredin Ibishi u shpreh se nuk ka qenë i nevojshëm komunikimi i drejtpërdrejtë me të apo me dikë prej komandës, pasi që komunikimi është zhvilluar me udhëheqësit e shërbimeve specifike.
Ibishi: Nuk ka qenë i nevojshëm komunikimi i drejtëpërdrejtë me mua
“Unë nuk kam pasur rastin, përveç rastit që e përmenda më herët, që kam pasur një kontakt të rastit, nuk jam i sigurt a ka qenë anëtar i BIA-së por ai ka mundur të ketë raporte me dikë me stafin e komandës edhe sikur thash kur BIA ka ofruar shërbime për nevoja shëndetësore, të personelit, e logjistikës nuk ka qenë e nevojshme komunikimi i drejtë me mua apo me dikënd prej komandës së caktuar përveç asaj, shërbimeve specifike për nevojat e zonës operative të Llapit”, tha ai.
Tutje ZPS-ja ka vazhduar me pyetje se nga kush i merrnin urdhrat pjesëtarët e BIA-së. Ibishi tha se pjesëtarët e njësitit BIA i kanë pasur të përshkruara detyrat e tyre dhe nuk kanë pasur nevojë për të marr urdhra.
Prokurori: Nga kush i merrnin urdhrat pjesëtarët e BIA-së?
Dëshmitari: I kanë pasur të përshkruara detyrat e tyre se ata kanë filluar veprimin edhe pa filluar formimi ushtarak i zonës ata më herët kanë filluar në bazë të një marrëveshje në mes komandat Remit… Ajo nuk ka pasur nevojë të marr urdhra ajo ka kryer shërbime sipas nevojës që ka pasur zona, ajo ka qenë një strukturë civile e paarmatosur dhe ku është treguar nevoja shërbime të caktuara kanë bërë kërkesë tek komandanti i njësitit BIA dhe ai i ka shërbyer.
Edhe përkundër kësaj prokurori i ZPS-së vazhdoi me pyetjet se a kishte raportuar ndonjëherë BIA tek Nuredin Ibishi, dhe ky i fundit tha se deri në qershor kur ka ndodhur edhe çlirimi i Kosovës nuk kanë pasur ndonjë kontakt të asaj natyre.
Prokurori: A ka raportuar ndonjëherë për aktivitetet e saj para jush BIA?
Dëshmitari: Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm vendi është çliruar atëherë kemi pasur kontakt në kuptim të asaj, por për kohën e luftës nuk kam marr ndonjë kërkesë specifike prej BIA-s.
Prokurori: Gjatë luftës Salih Mustafa a ka raportuar para jush nga janari deri në qershor 1999?
Dëshmitari: Përveç kur jemi parë ne në qershor të vitit 1999 me çlirimin e Kosovës kur jam parë në vendin e shtabit, pra në Kolovicë të re.
Prokurori: A i keni lëshuar ndonjë urdhër ju Salih Mustafës?
Dëshmitari: Jo.
Dëshmitari i mbrojtjes së Salih Mustafës, Nuredin Ibishi gjatë dhënies së dëshmisë së tij tha se Salih Mustafa është një veprimtar i njohur i çështjes kombëtare dhe i angazhuar në njësitin BIA por nuk e ka njohur personalisht.
“Salih Mustafa, Cali është një veprimtar i njohur i çështjes kombëtare ka qenë i angazhuar edhe në lëvizjen për liri të mëhershme ka qenë edhe i burgosur politik dhe i angazhuar në njësitin BIA edhe pse nuk e kam njohur personalisht kam pasur njohuri lidhur me veprimtarinë dhe aktivitetet e tija… E kam takuar por nuk e kam njohur, mundesh me taku kalimithi por duke pasur parasysh se nuk e kam njohur më herët, atëherë personalisht nuk e kam njohur, ka mundur ndoshta me pa ose me kalua duke mos e njohur më herët”, theksoi ai.
Ndonëse Ibishi deklaroi para trupit gjykues se nuk kishte dhënë urdhra për njësitin BIA dhe Salih Mustafës, prokuroria paraqiti pjesë të deklaratës së Salih Mustafës dhe Fatmir Humollit dhënë ZPS-së ku kishin deklaruar se urdhra merrnin nga Nuredin Ibishi.
Por edhe pas këtyre deklarimeve, Ibishi mohoi t’i ketë dhënë urdhra Salih Mustafës.
“Thash nuk kam dhënë urdhra dhe shef i operativës kam qenë së bashku me Kadri Kastratin. Unë dhe Kadri Kastrati kemi udhëhequr operativën, nuk kam qenë vetëm unë, ta kemi të qartë unë sa i përket vetës time, unë nuk kam dhënë urdhra kjo është përgjigja ime”, tha ai. /ksp