Janë orët e para të mëngjesit të së hënës në Hagë.
Por, dy vëllëzrit Thaci nga Buroja e Skenderajt, Agimi e Idrizi, arritën para Gjykatores.
Kjo meqë tash e 5 vite brenda saj, ndodhet vëllai i tyre ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
E mbrojtja e këtij të fundit, sot do të fillojë me thirrjen e dëshmitarëve para trupit gjykues.
“Jemi të emocionaur sot, sepse kemi një shans për t’u kthyer në realitet. Është një shans për ta paraqitur të vërtetën e asaj që ndodhi në Kosovë në vitin 1999. Ky do të jetë fillimi i një procesi ku do të shihni se presidenti Thaci nuk është përgjegjës për akuzat që ata thonë”, është shprehur avokati i Thaçit.
E nuk vonoi shumë, arriti edhe dëshmitari i parë.
Bëhët fjalë për James Rubin, ish-ndihmës sekretari amerikan I shtetit.
Seanca që u ndoq nga afër nga ekipet e Tëvë1, filloi në ora 9:00.
Fillimisht, James Rubin, foli për takimet e para që i kishte me ish-drejtorin politk të UCK-së.
“Më kujtohet takimi i parë që më duket është ai që sapo përmendët (në shkurt 1999 v.j) që ishte i regjistruar në kabllogram dhe më kujtohet që ai më njohu menjëherë përmes televizionit sepse unë isha zëdhënës i Departamentit të Shtetit dhe dilja shpesh në televizion – kryesisht për ata që ishin të interesuar për atë që ndodhte në ish-Jugosllavi. Pra, ai më njohu. E në ato ditë kur dikush të njihte ata lëviznin, shpreheshin fizikisht, të shtrëngojnë dorën apo japin shenja fizike dhe znj. Albright e vërejti këtë që e ai e bëri, që më njohu pra. Ajo ishte shumë e zonja për nga marrëdhëniet njerëzore dhe më tha menjëherë: Jamie, bisedo me të, njihu me të!”, është shprehur Rubin.
Tutje, ish-diplomati amerikan, tha se Thaci nuk kishte fuqi vendimarrje as në Rambuje dhe as në demilitarizimin e UÇK-së.
Ndërsa theksoi se Amerika nuk do të bashkëpunonte me kriminel të luftës.
“Pas Bosnjës, ku e menduam se e ndaluam një luftë dhe ndihmuam krijimin e një shoqërie tolerante dhe jokaotike, pamë situatë të re në Kosovë dhe ne donim të siguroheshim që të ishim në anën e engjëjve, në anën e të mirëve. Nuk do të ishin viktima në rast që ata do të kryenin krime lufte, as nuk do të ishin viktima nëse do të kishin qasje ekstremiste-islamiste. Donim të ishim në anën e viktimave dhe nëse dilte diçka ndryshe, kjo do të ishte kundër çdo gjëje që ne besonim”, ka thënë tutje Rubin.
Tutje Rubin hodhi poshtë pretendimet e Prokurorisë Speciale, se UÇK kishte një strukturë.
“Deri në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, ne nuk e kemi e besuar asnjëherë që UÇK-ja kishte strukturë që ne e mendonim që ishte një strukturë e mirëorganizuar ushtarake”, ëhstë shprehur Rubin.
Por, a gjeti Departamenti Amerikan i shtetit, prova për vrasje dhe trafikime të drogës, që lidhen me katërshen e madhe të UÇK-së?
“Ne nuk kemi gjetur asnjë të dhënë, asnjë provë, asnjë informacion që lidhte pretendime të tilla për ekzekutime të tilla dhe vrasje me udhëheqës të tillë, as me zotin Krasniqi as me zotin Thaçi. Rreth 25 vjet që jam larguar nga Qeveria kam pyetur të gjithë ata që kanë pasur informacion lidhur me ketë pretendim dhe jo vetëm në vitet 2000, por edhe dekada më vonë miqtë e mi që kishin informacione inteligjente kur kanë punuar ndonjë kohë, nuk më kanë dhënë informacione që bëjnë lidhjen e këtyre pretendimeve me ndonjërin prej drejtuesve të UÇK-së’, ka përfunduar Rubin.
Dëshminë e tij Rubin, do ta vazhdojë edhe të martën.