Sot shënohet dyvjetori i hapjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Me këtë rast, e ngarkuara me punë në këtë ambasadë, Ines Demiri bën të ditur se këto dy vjet ishin të jashtëzakonshme në avancimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve, përcjell teve1.info
“Përkundër fazës së hershme të marrëdhenieve diplomatike, por duke e përqafuar gjithmonë miqësinë shekullore mes dy popujve tanë, ishin dy vjet të jashtëzakonshëm në avancimin e marrëdhenieve dypalëshe në të gjithë nivelet. Punë edhe më të mira na presin në vitet që vijnë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Demiri po ashtu theksoi se do të jenë kënaqësi e veçantë që më 25 mars, përfaqësuesja e Kosovës do të jetë në Tel Aviv ku do të përballet me shtetin e Izraelit në ndeshjen hapëse të kualifikimeve për në Kampionatin Evropian 2024 në Futboll.
Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem u parapa në Marrëveshjen e 4 shtatorit, kur Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump. /Teve1.info/