Dëshmitari, Gjergj Dedaj gjatë dëshmisë së tij në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka thënë se 90 për qind të deklaratave që i ka dhënë pas luftës nuk ka qenë normal dhe në gjendje që ta thotë të vërtetën.
Sipas Dedajt, kjo ka ndodhur për shkak të momentit dhe gjendjes në të cilën ka qenë në kohën kur është marrë në pyetje. Po ashtu, ai specifikoi që nuk iu kujtohet nëse ka dhënë ndonjë betim për deklaratat pranë ZPS-së.
“Nuk me kujtohet që me ka pyet kush për betim dhe as që e kam dhënë asnjë betim. Aty ku është nënshkrimi im edhe me u rrotullu bota e them që është nënshkrimi im dhe nuk e mohoi me asnjë çmim. Mirëpo, edhe njëherë po e përsëris, momenti, gjendja, zhvillimet, situata familjare, personle, qe jam marrë në pyetje, 90 për qind të deklaratave që i kam dhënë pas luftës nuk kam qenë normal dhe në gjendje me e thënë të vërtetën. por, tash jam i gatshëm me u ballafaqu me çdo gjë, sikur që kam qenë i gatshëm sikur çdo ditë që e kam qit në tavolinë-tryezë jetën time për me dhënë për lirinë e Kosovës”, tha Dedaj.
Ai tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë ushtria më e pastër.
“Jeta jonë nuk ka vlerë, edhe sot që jam këtu thash jam kufomë dhe nuk kam as një vlerë dhe në fakt nuk e di pse jam gjallë, as nuk ligshtona dhe jam shumë i guximshme sepse jam i përgatitur dhe kam qenë i përgatitur për çdo sakrificë dhe me e dhanë jetën, mirëpo asnjëherë, asnjëherë dhe asnjëherë domethënë t’a etiketojë dhe njollosë ushtrinë titanike, ushtare dhe heroike që është ushtria ndër më të pastër në luftra botënore është ushtria e Kosovës”, tha Dedaj, shkruan “Betimi për Drejtësi”.
Dedaj për marrjen në pyetje nga ZPS: Kanë provu me nxjerrë elemente fajësuese për UÇK-në
Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari Gjergj Dedaj tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar gjatë marrjes në pyetje kanë dashur të nxjerri elemente fajësuese për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Dedaj tha se i është dashur që t’i sigurohej një avokat ose këshilltarë juridik për t’i sqaruar gjerat dhe sipas tij, ZPS-ja ka qenë duke folur me një ‘kufomë të gjallë’.
“Ka qenë dashur me ma siguru avokatin, ka qenë dashur me ma siguru këshilltarin juridik, ka qenë dashur me m’i sqaru gjanat sepse keni qenë duke folur me një kufomë të gjallë. Unë kam qenë në fakt kufomë edhe sot jam kufomë. Kanë provu me nxjerrë sa më shumë elemente fajësuese për UÇK-në, renduese e për çka nuk di unë”, tha Dedaj.
Kjo u kundërshtua nga prokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar e cila tha se nga ajo që sheh në dokumentin në ekran është se Dedaj është këshillua nëse ka nevojë për ndonjë avokat.
“Këtu iu është thënë që po jepni dëshmi në një proces penal dhe se ishit të detyruar të thoni të vërtetën ashtu thatë që donit të kishit një avokat, por ama nëse shikoni fjalinë tjetër në ekran thuhet se jeni këshilluar se nëse keni pasur nevojë për një avokat për përgjigjet tuaj iu mund ta punësonit dhe të konsultohenit me një avokat. A ju kujtohet të iu është dhënë kjo këshillë përpara se të iu bënte pyetje. Po ashtu folët për qëllimin, a iu kujtohet se se iu është thënë se ky është proces penal ku duhet thënë e vërtetë dhe duhet të thonit sa më saktë ato që mund t’i kujtonit”, tha prokurorja.
Ndërsa, Dedaj tha se e thotë gjithmonë të vërtetën pa marrë parasysh çmimin.
“Gjithmonë e them të vërtetën, pa marrë parasysh çmimin dhe nuk me kujtohet që me kanë dhënë këshilla të tilla dhe jam brengos se në çfarë gjendje shpirtërore, familjare, emocionale domethënë duke mbledh kufoma, trupa të djegur me kanë marrë në pyetje që unë konsideroj që është një shkelje e të drejtave të njeriut”.