Raportimi i komisioneres të Agjencisë për Informim dhe Privatësi në Komisionin për Çështje të Sigurisë është karakterizuar me debat mes deputetëve të pozitës dhe opozitës.
Kryetarja e kësaj agjencie, Krenare Sogojeva Dermaku ka prezantuar raportin vjetor para anëtarëve të Komisionit për Çështje të Sigurisë, i cili pasoi me kritika të deputetëve të partive opozitare.
Paraprakisht, komisionerja Krenare Sogojeva Dermaku ka njoftuar për numrin e ankesave për realizimin e të drejtës për qasje në dokumenteve publike por edhe atyre për mbrojtjen e të dhënave personale.
“Gjatë periudhës raportuese janar-dhjetor 2025, në total kemi pranuar 1085 ankesa në të dy shtyllët. Nga to 927 ankesa janë për qasje në dokumente publike, çfarë vlen të theksohet është se 832 ankesa nga 927 kanë përfunduar të tjerat janë bartur për vitin 2026 për shkak të pamundësisë në shqyrtimin e të gjithave brenda afatit 2025, dhe kjo për shkak të stafit shumë të vogël dhe numrit të madh të ankesave që është gjithherë në rritje. Atë që dua të ceki është se ndërgjegjësimi i qytetarëve në raport me të drejtën e tyre në qasje në dokumente publike është shumë më i madh dhe normalisht që edhe numri i ankesave për vite, ashtu siç janë edhe në raport prej vitit 2021 ka rritje nga 200-250 ankesa në vit më shumë. Ndërsa, të mbrojtja e të dhënave personale numri i ankesave është 158 ankesa, ndërsa në total kemi 367 inspektime sipas detyrës zyrtare por edhe ankesave të parashtruara”, deklaroi ajo.
Ky raport është kritikuar nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, e cila tha se është vetëlavdërues, duke hedhur dyshime edhe mbi pavarësinë e plotë instiucionale të institucionit.
“Mendoj se raporti është tërësisht vetëlavdërues. Flitet për arritje, angazhim dhe profesionalizëm, por mungon një analizë e sinqertë e dështimeve. Nuk dëgjova asnjë rast ku agjencia ka dështuar ta mbrojë qytetarin dhe e dini që ka shumë njerëz që flasin për këtë. Një raport serioz do të duhej të tregonte jo vetëm sukseset por edhe përgjegjësitë dhe mangësitë. Numra pa kontekst: Janë paraqitur shumë statistika (1085 ankesa, 367 inspektime), por nuk dihet sa prej tyre kanë prodhuar ndikim real. Nuk ka analizë mbi cilësinë e vendimeve dhe nuk krahasohet me vitet paraprake. Numrat pa analizë për mua janë më shumë propagandë sesa llogaridhënie institucionale…38:00 Mungesa e pavarësisë së dukshme: Edhe pse agjencia quhet e pavarur, ka raste konkrete ku ka sfiduar institucione të fuqishme. Nuk shihet rol aktiv në raste të ndjeshme publike, kjo ngrit dilemat për guxim institucional”, ka thënë deputetja Musliu.
Komisionerja Sogojeva Dermaku ka reaguar ndaj këtyre kritikave, duke thënë se janë “tendenca personale”.
“Më vjen shumë keq për këtë mënyrë të qasjes tuaj personale, duke e ditur që njihemi edhe në raporte të tjera edhe njihni shumë mirë edhe profesionalisht. E para po nis prej transparencës. Më vjen shumë keq nëse ka një mendim që ta ka paraqit edhe raporti, e sidomos prej anës tuaj si deputete e kahershme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e ku e dini shumë mirë që kjo agjenci nuk ka funksionuar me vite të tëra, e pavarësia institucionale bash është pavarësi të cilën e kemi parë secili. Këtë mund ta sheh dikush që nuk ka sy kritik, por dikush që me të vërtetë ka thjesht tendenca personale, edhe këtë po ta them direkt, më fal. E para, cilat janë institucionet e rëndësishme? Prej Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, që bash askush s’ka guxuar me i prek, pikërisht për transparencën e kësaj agjencie, është gjobit Agjencia për Intelegjencë. Janë gjobit Ministria e Jashtme, janë gjobit komunat, janë gjobit institucionet publike të gjitha ato që nuk kanë dhënë qasje. Janë gjobit kontrollues privatë, janë gjobit KESCO, është gjobit ujësjellësi. Krejt ato institucione të cilat kanë shkelje, që s’kanë ofruar qasje, ose dy nuk i kanë mbrojtur të dhënat”, është kundërpërgjigjur ajo.
Pas replikës ka reaguar sërish deputetja Musliu, duke i thënë komisioneres se “agresiviteti yt ndaj analizës time flet mjaftueshëm”.
“Analiza ime ishte për raportin, nuk jam këtu për ta bërë qefin as ty, askujt tjetër. Vet tensioni yt, vet agresiviteti yt ndaj analizës time flet mjaftueshëm. Dhe veç një fakt po ta jepi që është i pavërtetë në replikë, faturat e rrymës, faturat e ujit dhe gjitha faturat tjera i marrim ende pa pliko nëse duhet të krenohemi se i paskan futur në pliko”, ka vazhduar më tej Musliu.
Debati ka vazhduar edhe më tej, ku deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti Selimi tha se deklarimi i deputetes së Musliut është shkruar me intelegjencë artificiale.
“Sa i përket raportit ose pyetjeve, kritikave që ia bëri kjo kolegia jonë raportit tuaj, unë mendoj se ai raport më shumë ishte si sugjerim nga Chat GPT, se sa vet analizë e deputetes në fjalë”, u shpreh ajo.
Edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albana Bytyqi u morr me replikën e komisioneres Krenare Sogojeva Dermaku pas kritikave që ia bëri raportit deputetja Musliu.
“Të sillesh në atë formë kur ti ki bazë për të konfirmuar atë që nuk e tha deputetja në fjalë, unë nuk e shoh të arsyeshme që ti të nxehesh aq shumë edhe ta gjuash me ato fjalë fyese është për tu çuditur edhe me marrë personale ‘ti ma bëre kështu, ti ma bëre kështu’, nuk po e shoh shumë të arsyeshme. Nëse ki fakte ndaj raportit veç mund ta konfirmosh”, tha deputetja Bytyqi.
Debati ka vazhduar edhe më tej se kaq, kur deputetja e PDK-së, duke iu drejtuar deputetëve të shumicës parlamentare tha se një ditë pushtetit të tyre do t’i vie fundi.
“I nderuar kryesues një gjë mos e harroni se pushteti është i përkohshëm, rotacioni në politikë është gjithmonë i mundshëm. Dhe ne këtu në këtë kuvend e në këtë komision jemi për ta ruajtur integritetin e kuvendit dhe jo për ta poshtëruar e nënshtruar kuvendin.
Bajqinovci: Kush e bëri, kush e bëri?
Musliu: Kadal, merr shënime edhe fol, mos u ngut. Dhe këtu ne duhet ta ruajmë integritetin e kuvendit, sot jeni ju në pushtet, nesër vijmë ne në pushtet. Se ju kështu e keni logjikën mendoni që jeni në kohën e komunizmit dhe e mbani tërë jetën. Ju jeni sot, ne mundemi me qenë nesër, ose thënë më troç ne kemi qenë dje. Prandaj këtu është Kuvendi i Kosovës dhe duhet të keni parasysh çka përfaqësoni”, deklaroi Musliu.
Për këto deklarata ka reaguar kryesuesi i komisionit, Mefail Bajqinovci.
“Dua t’i përgjigjem deputetes Musliu që tha ‘sot jeni, nesër s’jeni’, nuk ta mohoj askush fjalën, më fal, më fal, po më lejo tash, nuk ta mohoj në këtë komision që e udheheqi unë, nuk ta mohoj askush fjalën, ta jep rregullorja por nuk tu mohua asgjë që të thoni se ju jeni shumicë po bëni çfarë po doni. Të lutem Gane e the, keni të drejtën të komentoni, të bëni pyetje, andaj mos thoni se e keni mundësinë”, tha ai.
Komisioni për Çështje të Sigurisë ka vazhduar mbledhjen me dyer të mbyllura tek pika e të ndryshmeve.







