Leon Dajaku nuk është më një lojtar i Hajduk Splitit pasi është larguar pas një viti e gjysmë qëndrimi në Kroaci.
Ylli nga Kosova ka pasur probleme të vazhdueshme me klubin dhe trajnerin Gennaro Gattuso dhe së fundmi ai ishte suspenduar.
Por palët kanë rënë dakord për ndërprerjen e kontratës me marrëveshje të dyanshme dhe Dajaku tani është futbollist i lirë.
“HNK Hajduk dhe Leon Dajaku kanë rënë dakord për ndërprerjen e kontratës me marrëveshje reciproke dhe anësori 23-vjeçar nuk është më lojtari ynë”, njoftoi klubi nga Spliti në faqen e tyre zyrtare.
Një lëvizje e tillë ishte deri diku e pritshme duke pasur parasysh se Hajduk kishte aranzhuar më parë ardhjen e Michele Sega dhe Jan Mlakar.
Dajaku është një sulmues i lindur në Gjermani dhe ka nënshtetësi gjermane derisa ka prejardhjen nga Kosova.
Ai mbërriti në Hajduk në verën e vitit 2023 si lojtar i lirë, pasi i skadoi kontrata me klubin anglez Sunderland.
23-vjeçari luajti 38 ndeshje për bardhekaltërtit në të cilat shënoi katër gola dhe asistoi katër herë për shokët e tij.