Sulmuesi i krahut, Zymer Bytyqi më nuk është pjesë e skuadrës nga Bullgaria, CSKA Sofja.
Ekipi bullgar, të martën ka njoftuar se ka shkëputur kontratën me Bytyqin, që i skadonte në qershor të vitit të ardhshëm.
“Lojtari ofensiv, Zymer Bytyqi nuk është më pjesë e skuadrës së CSKA-s. Sot, klubi dhe lojtari i dhanë fund marrëdhënieve të tyre kontraktuale me pëlqim të ndërsjellë”, thuhet në njoftimin e skuadrës bullgare.
Largimi i Bytyqit nga CSKA Sofja, erdhi pak javë pasi futbollisti i Kosovës u suspendua për shkak të disiplinës dhe u degradua në ekipin e dytë.
28-vjeçari para një viti iu bashkua CSKA Sofjes si futbollist i lirë dhe me këtë skuadër i regjistroi 20 paraqitje, ku shënoi 8 gola.
Në fund, CSKA Sofja i ka dëshiruar suksese në vazhdim të karrierës Bytyqit, i cili ka luajtur edhe për Antalyasporin, Olympiacosin, Konsyasporin, Vikingun, Salzburgun e Sandnesin.