E enjta, e solli sërish në gjykatore.
Ish zëvendës përfaqësuesi i OKB-së në Kosovë, James Peter Covey, e vazhdoi dëshminë e tij para trupit gjykues.
Ai potencoi sërish se Hashim Thaçi nuk ishte i dhunshëm, dhe që në fakt iu frikësohej disa komandantëve të zonave.
“Që trembej është e qartë edhe në Rambuje që ai është kërcënuar drejtpërsëdrejti që nëse ai nuk pajtohej me kërkesat e komandantëve të zonave. Por, ishte edhe sjellja e tij e qartë. Mënyra se si ishte i kujdesshëm sa i takon marrëdhënieve me udhëheqjen e lëvizjes së UÇK-së”, ka thënë Covey.
Rrjedhimisht, Covey tha se kishin kuptuar se Thaçi nuk kishte post udhëheqës në UÇK.
“Ne, kemi arritur në përfundimin se bëhej fjalë për një pretendim bosh se Thaçi ishte udhëheqës i UÇK-së”, është shprehur Covey.
Dëshmitari i katërt i mbrojtjes, theksoi një kërkesë që Thaçi ia kishte bërë përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner për furnizim me armë të disa personave të UÇK-së.
“Kemi parë një dokument që Thaçi ia kishte dërguar Kouchnerit ku kërkonte armë për disa persona të UÇK-së, dhe ne e dinim që në atë kohë sipas mendimit tonë kjo nuk duhet të ndodhte. Ne e kuptuam se kjo ishte një urë lidhëse. Kjo ishte përshtypja jonë. Po e kryente detyrën që ia kishin kërkuar të tjerët”, ka thënë tutje Covey.
Covey në gjykatoren në Hagë, ndau edhe biseda tjera me Kouchner, në lidhje me sulmet e pasluftës ndaj pjesëtarëve të mbrojtjes së Ibrahim Rugovës, ku sipas tij, në atë kohë, dyshonin se përgjegjës ishte Daut Haradinaj.
“Nga bisedat me Bernard Kouchner dhe nga ajo që kemi mësuar nga burimet e KFOR-it më vonë, ne e kuptuam që të gjithë truprojat e Ibrahim Rugovës ishin vrarë pothuajse të gjithë. Nuk e di nëse kjo është fushë për të cilën mund të flas unë në mënyrën e duhur pasi unë nuk jam informuar në mënyrë të drejtpërdrejtë. KFOR-i besonte që vëllai i Ramushit, Daut Haradinajn ishte përgjegjës për këtë sulm”, ka theksuar Covey.
Për këtë deklaratë, televizioni ka kontaktuar me Daut Haradinaj, por i njëjti deri më momentin e publikimit të kronikës nuk është përgjigjur.
Në seanën e së enjtes, mbrojtja e Thaçit i kërkoi trupit gjykues afat shtesë për paraqitjen e çështjes dhe dorëzimin e dosjes përfundimtare, nën arsyetimin se nuk do të arrijnë t’i përfundojnë në datat e caktuara 14 dhe 22 dhjetor.