Iniciativa “CorrWatch” – e përbërë nga organizatat GLPS, Instituti GAP dhe INDEP – ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të nisë hetime mbi praktikat e Ministrisë së Arsimit për çështjen e subvencionimit për furnizim me tekste shkollore.
Të martën, Ministria e Arsimit njoftoi se edhe sivjet furnizimi i nxënësve me tekste shkollore do të bëhet nëpërmjet subvencionimit të prindërve për blerjen e tyre. Teksa është përcaktuar shuma për blerjen e teksteve dhe mjeteve mësimore, në Ministri të Arsimit kanë thënë se ende nuk e dinë saktë se sa është kostoja e librave.
Duke e cilësuar të kundërligjshëm procesin, “CorrWatch” u ka bërë thirrje institucioneve që të reflektojnë mbi procesin e që Prokuroria të nisë hetimet. Sipas kësaj iniciative, është shkelur Ligji për Arsimin parauniversitar.
“Ky veprim nuk është vetëm shkelje e detyrimeve ligjore nga MASHTI, por është gjithashtu shkakton një barrë të panevojshme për prindërit, që për më tepër mund të ndikojë në fillimin me kohë të procesit mësimor duke ndikuar negativisht tek nxënësit. MASHTI, për të dytin vit radhazi, ka bërë shkelje ligjore pavarësisht se kishte një vit të tërë në dispozicion për të siguruar që ky proces të ishte në përputhje me ligjin dhe interesin publik, ajo dështoi plotësisht të planifikojë dhe të përmbushë detyrimet e saj, duke treguar neglizhencë dhe mungesë përgjegjësie nga ana e ministrisë”, thuhet në reagim.
“CorrWatch” ka thënë se Ministria ka lënë hapësirë për keqpërdorime. “Duke subvencionuar këtë shërbim që në fakt duhej të ishte përgjegjësi ekskluzive e ministrisë, MASHTI ka lënë hapësirë të gjerë për keqpërdorime por gjithashtu tregon një mungesë të kontrollit të mirëfilltë, transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e parasë publike”, thuhet në reagim.
Mungesën e informacionit mbi çmimet e librave dhe koston totale të procesit, “CorrWatch” e ka cilësuar si mungesë të planifikimit të duhur dhe të menaxhimit të përgjegjësive shtetërore.
“Për më tepër. vitin e kaluar, kjo mënyrë subvencionimi i ka kushtuar qeverisë mbi 11 milionë euro—më shumë se vlera e planifikuar për procedurën e negociuar me kompanitë, e që tejkalimi i saj ka qenë arsyetimi i anulimit të procedurës. Në anën tjetër, problemet e raportuara si vonesat në furnizimin me libra, problemet me aplikim si dhe ankesat e prindërve që ende nuk janë kompensuar, dëshmojnë qartë se kjo qasje ka qenë larg të qenit llogaridhënëse, transparente dhe efikase”, thuhet në reagim.
Procesi i subvencionimit ishte përcjellë me shumë polemika vitin e shkuar. Mësimi pati filluar më 1 shtator, por sipas drejtorive të arsimit, disa nxënës nuk janë furnizuar me tekste shkollore deri në muajin dhjetor. E Ministria e Arsimit ka konfirmuar se disa prindër nuk janë subvencionuar deri në muajin maj.