Ishte shkurti i vitit 1999.
Lufta mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe, po zhvillohej ashpër në teren.
Andaj u kërkua një takim me delegacione që përfaqësonin dy palët, që u caktua të jetë në Rambuje të Francës.
Atje, Ramë Buja, pjesëmarrës i delegacionit kosovarë, tregon se nuk shkuan duarbosh.
“Ne kemi shkuar të armatosur, normalisht me armë të lehta në Rambuje dhe nuk kishte ndonjë kërkesë që ne do të bënim luftë në Aeroportin e Prishtinës, por ne i thamë një diplomati amerikan që u mor me ne që ne nuk kemi ardhur të bëjmë luftë por ne meu dorëzu nuk do të dorëzohemi dhe nëse ata na bëjnë presion të jashtëzakonshëm ose të na kapin ne do të bëjmë vetvrasje kjo ishte synimi i kësaj gjëje, dhe kur i tham se ky është synimi ynë atëherë na lejuan të shkojmë me revole”, tregoi për Tëvë1, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Ramë Buja.
Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, thotë se përkundër se kishin dallime brenda delegacionit me ish-presidentin Rugova, ndaj Serbisë ishin të unifikuar.
Buja tregon sesi u bë që kërkuan kohë shtesë nga bashkësia ndërkombëtare, për nënshkrimin e asaj marrëveshje.
”Disa ishin të gatshëm ta nënshkruajnë menjëherë, ne të UÇK-së natyrisht që s’ishim të gatshëm për t’a nënshkruar kishim kërkuar dy javë të ktheheshim në Kosovë për t’u marrë vesh me ata që linin jetën dhe derdhnin gjakun për Kosovën dhe pastaj nëse duhet me nënshkru, nënshkruajmë duke marrë edhe lejen e tyre”, deklaroi Buja.
Ai thotë se garancia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ua lehtësonte pranimin e marrëveshjes.
“Marrëveshja e nënshkruar ishte e rëndë sepse nuk përmbante gjëra shumë të mira për Kosovën, por garancioni që na dha atëherë sekretarja e shtetit, Albright për referendumin që do mbahet edhe për dy gjëra të tjera na bënë që ne ta marrim forcën për ta nënshkruar me gjithë përgjegjësinë e madhe që kishim mbi vete”.
Madje, shton se i ka ende të freskëta fjalët që gjenerali Clark ua kishte thënë atyre, nëse Serbia do refuzonte nënshkrimin e saj.
“Fjalët e para që na ka thënë përveç përshëndetjes, na ka thënë: Miqtë e mi, ma hapni rrugën për t’a goditur Millosheviqin sepse jam i bindur që nuk e urreni ju më shumë sesa e urrej unë, e ka thënë edhe në librin e vetë dhe ne u habitëm për këtë gjë dhe na tha ju lutem analizone dhe peshojeni mirë dhe nënshkruajeni marrëveshjen sepse unë do t’a godasë. Por nëse më pyet, a e keni besuar plotësisht këtë gjë është vështirë për t’a thënë por ishte njëfarë besimi i përplotësuar deri diku por jo plotësisht”, tregoi ai.
Marrëveshja u hartua nga NATO, ndërsa anëtarët e delegacionit kosovar pranuan njëzëri.
Këtë marrëveshje e refuzoi pala serbe, gjë që hapi rrugët për ndërhyrjen e NATO-së në Luftën e Kosovës.






