Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për qasjen e tij ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e akuzuar se ka dëmtuar raportet me aleatët ndërkombëtarë dhe ka futur vendin në krizë.
Çitaku tha se për raportet me SHBA-të, Thaçi nga Malet e Pashtrikut ka lidhur aleancë me NATO-n e sot nga Haga e solli Amerikën në mbrojtje të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një konferencë për media, Çitaku u pyet se a mund të ketë një krizë në Kosovë, pasi që me 12 shtator është nënshkruar një memorandum mes KFOR-it dhe BE-së në bashkëpunim për kriza në vend dhe po në atë ditë është bërë pezullimi i dialogut strategjik nga SHBA-të.
Çitaku nuk dha koment për marrëveshjen KFOR-BE, duke e quajtur “protokoll të rregullt”, por nënvizoi se zhvillimet e fundit tregojnë për një situatë të rëndë politike dhe diplomatike në vend.
Çitaku, tha se qeverisja aktuale ka futur vendin në krizë dhe izolim, duke fajësuar drejtpërdrejt Kurtin për pasojat që po i ndjen Kosova në arenën ndërkombëtare, duke e quajtur qasjen e Kurtit të papërgjegjshme e aventureske.
Ajo, përmendi edhe ish-presidentin Hashim Thaçi, duke theksuar se Thaçi nga Malet e Pashtrikut ka lidhur aleancë me NATO-n.
“Çka nuk është normale është, kaosi, kriza, izolimi në të cilën e ka futur Kosovën kjo kastë udhëheqësish. Është e paimagjinueshme që 26 vite pas luftës, Kosova të jetë e ndëshkuar e penalizuar nga aleatët e saj e tërë kjo për shkak të qasjes të papërgjegjshme e aventureske të Albin Kurtit. Nuk ka ndërhyrë Amerika në Kosovë për të na bërë vend të dështuar e të izoluar. Imagjinojneni Hashim Thaçi nga malet e Pashtrikut ka lidhur aleancë me NATO-n edhe tani nga burgu i Hagës e solli Amerikën në mbrojtje të luftës së drejtë të UÇK-së. Çka bëri Albin Kurti? Albin Kurti e ka gjetur në tavolinë nga komoditeti i zyrës së kryeministrit, suksesshëm ka arritur të rrënojë aleanca të shumta të cilat janë ndërtuar me shumë gjak, mund, sakrificë, por edhe mençuri”, tha Çitaku.
Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, Gjeneralmajor Enrico Barduani, dhe Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë dhe përfaqësuesi special i BE-së, Aivo Orav, kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi që rregullon mbështetjen dhe ndihmën e KFOR-it në rast të zhvendosjes apo evakuimit gjatë situatave kritike.
Memorandumi dëshmon angazhimin e aktorëve ushtarakë dhe civilë për të punuar së bashku në mënyrë proaktive, duke përforcuar kështu gatishmërinë, stabilitetin dhe sigurinë në rrethana sfiduese në terren.