Pas përvojës në menaxhimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku tani synon t’i rikthehet menaxhimit në nivel komunal, si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës.
Ai nuk premton mrekulli, por një program të qartë që adreson problemet e përditshme të qytetarëve të kryeqytetit.
I bindur në fitoren e tij në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Çeku thekson se dy partitë që kanë qeverisur me Prishtinën në katër vitet e fundit, LDK dhe PDK, duhet të kalojnë në opozitë.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për komunën e Prishtinës, Hajrullah Çeku, vlerëson se kryeqyteti kurrë më parë nuk ka pasur nevojë më të madhe për ndryshim sesa tani.
Sipas tij, gjatë katër viteve të fundit të qeverisjes aktuale, nuk është shënuar asnjë përmirësim në asnjë fushë përkundrazi, çdo sektor ka përjetuar vetëm degradim.
“Energjia është pozitive, mirëpo e ngarkuar shumë me njëlloj pakënaqësie që e kemi në përditshmërinë në qytet. Mendoj se nevoja kurrë nuk na qenë më e madhe për ndryshim, sepse ajo çfarë ndodhi para 4 viteve në Prishtinë në zgjedhjet lokale ishte një lloj përcaktimi i qytetarëve për një kandidatë që nuk e njihnin fare. Por, funksionoi një lloj marketingu në atë kohë dhe një shpresë që u ngrit tek qytetarët që dikush nga jashtë, një profesionist i një fushe mund të jetë zgjidhje për qytetin….Tashmë kanë kaluar katër vite rezultatet këta që janë, janë, janë jo vetëm minimale në raport me premtimet që kanë qenë para 4 viteve, por ajo çfarë e marrë unë si feedback nga takimet me qytetarët ndonëse edhe vetë jam banor i Prishtinë dhe i shoh edhe vetë problemet është se pothuajse asgjë nuk funksion si duhet në Prishtinë, nga trafiku tek parkimi, nga ndriçimi tek kanalizimet, nga sistemet e çerdheve e shkollave në asnjë në këta sektor nuk kemi përmirësime përkundrazi në disa prej tyre kemi degradim”, tha ai.
Kandidatura e Hajrullah Çekut për kryetar të Prishtinës ka nxitur debat, pasi ai ka lindur dhe ka jetuar një pjesë të jetës në qytetin e Prizrenit. Megjithatë, përballë këtyre diskutimeve, Çeku shprehet se e njeh Prishtinën dhe problemet e saj më mirë se çdo qytet tjetër në Kosovë.
“Kjo temë ndonëse legjitime është pak paradoksale se nuk është bërë temë para 4 viteve. Sepse ne kemi pas kandidatin që për rreth 3 dekada nuk ka jetuar fare në Prishtinë dhe është kthyer drejt e nga aeroplani dhe është bërë kryetar. Mendoj se nganjëherë standardi i njëjti nuk aplikohet për të gjithë. Për Vetëvendosje opinioni publik e kanë një standard pak më të veçantë, dua të besoj që standardin specifik e kanë se edhe pritjet i kanë më të mëdha nga Lëvizja Vetëvendosje. Vetëm pjesën e fëmijërisë e kam jetuar në Prizren, pjesa tjetër prej 18 vjeç e këndej lidhet me Prishtinën, me studimet, angazhimin, familjen, punën, kontributin. Unë e njoh shumë mirë këtë qytet”, deklaron kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës.
Ministri në detyrë i Kulturës dhe njëherësh kandidati për kryetar të Prishtinës, Hajrullah Çeku, ka reaguar edhe ndaj akuzave të kryetarit aktual, Përparim Rama, i cili pretendon se niveli qendror po i pengon projektet e tij.
Kujtojmë se ndërmjet Çekut dhe Ramës ka pasur përplasje edhe lidhur me ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush”.
Ndërsa, akuzat e Ramës ndaj ekzekutivit qendror, Çeku i cilëson si strategji elektorale të kryetarit aktual, që sipas tij, vijnë si pasojë e mungesës së rezultateve konkrete gjatë mandatit të tij.
“Kjo është strategji elektorale e tij, sepse kur nuk ke punë, nuk ke rezultate konkrete të punës dhe po të afrohen zgjedhjet ti duhet me thënë diçka. Më e mira kish me qenë që pas një mandati me kaq shumë dështime mungesë të rezultateve një njeri me pak integritet nuk kish me kërkua edhe një mandat kishte thënë provova mbase e ka pas qëllimin e mirë, nuk arrita dhe tërhiqem. Por, unë pak çuditem se si kanë fytyrë me kërkua edhe një katër vjeçar kur nuk e ke asnjë rezultat konkret, e mungesa e rezultateve i ka detyrua këta me shpik këtë strategji elektorale e me thënë ne deshtë, por dikush tjetër nuk na la. Asnjë nga këto akuza e tij për bllokim ai nuk i mbështet me fakte e dëshmi e unë kam nxjerr pa fund dëshmi për të treguar që është e kundërta”, thotë ai.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrullah Çeku, deklaron se nëse pas 12 tetorit i besohet udhëheqja e komunës, do të jetë bashkëpunues me të gjitha grupet politike në Kuvendin Komunal.
Megjithatë, ai thekson se Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të qëndrojnë në opozitë.
“Jam i interesuar që kur e marrë detyrën nëse më jepet kjo përgjegjësi nga qytetarët të punoj me të gjitha grupet parlamentare politike që përfaqësohen në Kuvendin e Komunës të synojmë të ndërtojmë konsensus para se të shkojmë me atë shumicën e thjesht për t’i kaluar vendimet në këtë kuptim unë do t’i ftoj të gjithë, do të jemi shumë i hapur me të gjitha grupet që përfaqësohen në kuvendin e Komunës….39’45 Mendoj që për shkak të bashkëqeverisjes në këto katër vite LDK dhe PDK duhet të shkojnë në opozitë“, thekson Çeku.
I bindur se do të dalë fitues në garën për kryeqytetin pas 12 tetorit, kandidati për Prishtinën, thotë se nuk premton mrekulli, por thekson se ndryshe nga kundërkandidatët e tij, ai ofron një program të qartë dhe të prekshëm, gjë që sipas tij, u mungon të tjerëve.
“Nuk jam shumë ithtar i një perspektive që këtë e sheh si garë mes individëve sikur të jetë ndonjë betejë sportive se kush po del i pari. E shoh më shumë si një lloj ballafaqimi të ideve dhe koncepteve dhe të programeve por që janë të prekshme e jo ato vizatime të bukura që premtojnë mrekulli, por që qëllimin e vetëm e kanë me ia marr votën e qytetarit e pastaj vazhdojnë me motivin dhe angazhime dhe në këtë kuptim unë nuk jam diku parë as artikulim, as koncept, as vizion nga kundërkandidat e mijë…36’26 Nuk ka shkop magjik, unë nuk premtoj mrekulli, unë premtoj aq sa mund të bëjmë por nëse e kam ndihmën e qytetarët zgjidhjet më të mira dhe më të qëndrueshme në këtë kuptim jam shumë i motivuar me përgjigjen që po e marr prej qytetarëve dhe jam shumë i sigurt në fitoren tonë“, shprehet Çeku.
Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës, Hajrullah Çeku, thekson se plani i tij qeverisës bazohet në tri shtylla kryesore: funksionaliteti i qytetit, zhvillimi dhe barazia.
Ai premton se përmes këtyre tre elementeve do të sjellë ndryshim të dukshëm në kryeqytet, nëse i besohet udhëheqja e komunës.
Prioriteti i tij i parë, sipas Çekut, është zgjidhja e problemit të trafikut, për të cilin premton sjelljen e 30 autobusëve të rinj që në vitin e parë të qeverisjes së tij.
“ E vetmja reformë që ka ndodhur në transportin publik të Prishtinës është mandati 2013-2017 i Lëvizjes Vetëvendosje ku është fuqizuar Ndërmarrja Komunale ‘Trafiku Urban’ dhe janë blerë autobusë të rinj…nga ajo kohë nuk ka ndodh më asgjë për fat të keq edhe ndërmarrja komunale operon me humbje sepse ka mbi punësim dhe nuk ka një qeverisje efikase.. ne do të angazhohemi që menjëherë në vitin e parë të sjellim 30 autobusë të rinj, disa nga të cilët do të jenë elektrik sepse duhet të punojmë edhe në çështje e uljes së ndotjes së ajrit, së dyti ne propozojmë një korsi të veçantë vetëm për autobusët pra që të ketë shpejtësi më të madhe të lëvizjes përmes trafikut urban… Propozimi ynë është qenë katër pesë pika të hyrjes në kryeqytet të ndërtohen parkingje të mëdha publike ku këta qytetarë që vijnë nga vendet tjera parkohen aty dhe ato vende të parkimit lidhen me trafikun urban kemi mundësi ta marrim menjëherë autobusin që me një biletë që paguan ta paguan parkingun e bënë lëvizjen përmes autobusit në kryeqytet”, u shpreh Çeku.
Gjatë këtij viti, kryeqyteti është përballur me probleme serioze në grumbullimin e mbeturinave. Megjithatë, kandidati për kryetar të Prishtinës, Hajrullah Çeku, ka premtuar zgjidhje për këtë çështje, duke theksuar se Prishtina nuk ka qenë kurrë më e papastër që nga paslufta.
“Një kryetar komune që nuk është në gjendje me mbajt qytetin pastër, realisht nuk është për atë punë….Ky dështim ka qenë një nga dështimet që nuk mbahen mend në Prishtinë dhe në periudhat më të vështira të pasluftës Prishtina nuk ka qenë kaq e papastër, kaq e pamirëmbajtur dhe kaq e mbuluar me bërllok në të gjitha lagjet e fshatrat e qytetit. Ne kemi nevojë me reformua Ndërmarrjen Komunale ‘Pastrimi’ sot Pastrimi punëson mbi 900 punëtor ku vetëm 1/3 janë punëtorë terreni të tjerët janë administratë…Kemi nevojë me ndërruar qasjen e klasifikimit të mbeturinave në burim propozimi është ky tëmos e komplikojmë me 4-5 lloje të klasifikimit, fillimisht të shkojmë me dy shporta, organike dhe jo organike….Kemi nevojë për më shumë kamion por të specializuar në atë që janë të reciklueshme dhe në atë që janë organike, pastaj quhen stacione të grumbullit janë ato që ndërtohen në tri katër pika të qytetit ku kamionët kanë mundësi me qarkullua më shpesh brenda qytetit”, thekson Çeku.
Përveç zgjerimit të hapësirave shkollore, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës beson se pilot-projekti për mësimin tërësor, që tashmë ka nisur në disa shkolla të kryeqytetit, është një fushatë politike në kurriz të fëmijëve.
“Kjo nisje me nguti e mësim tërë ditor ka qenë gabim në hapa ka qenë më shumë fushatë politike për dikë e unë e kam kundërshtuar jo se fushatat politike janë të ndaluara, por jo në kurriz të fëmijëve. Kjo ka qenë një kërkesë minimale etike parimore që fëmijët të mos përdoren për të ndërtuar dikush karrierë politike. Reformimi i sistemit të arsimit kërkon hapësira të mëdha shkollat i kemi shumë të ngarkuara me 40 nxënës brenda klasës dhe e mi edhe dallime.. Të gjitha renovimet që do t’i bëjmë në shkolla do t’i bëjmë me sistem të integruar fillimisht rritja e hapësirës së shkollës”, tha ai.
Hajrullah Çeku, i cili aktualisht ushtron detyrën e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka premtuar investime edhe në fushën e trashëgimisë kulturore. Ai ka paralajmëruar krijimin e një fondi të veçantë për restaurimin e monumenteve historike.
Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës ka zgjedhur sloganin “Për Prishtinën tonë”.