Agim Çeku, arkitekti i transformimit të UÇK-së në TMK dhe më pas në FSK dhe ish-kryeministër i Kosovës ka thënë se FSK i plotëson kushtet për tu bërë pjesë e NATO-s.
Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në NATO është më shumë çështje politike.
Çeku ka thënë se për të arritur këtë qëllim, Kosova duhet të ketë aleat që dëshirojnë ta shohin në aleancën më të madhe ushtarake.
“Ne kemi sot forcat e armatosura të ndërtuara mbi të gjitha standardet që kërkohen për një vend. Domethënë. Kështu që po shpeshherë njerëzit nuk vijnë te atë lloj, nuk i ka interesuar ushtria në NATO, po shteti në NATO. Ne duhet të jemi shtet partner i besueshëm, duhet të jemi shtet që kemi, që reflektojnë pozitivisht në sigurinë, në bashkëpunim, në ndërtimin e paqes, të stabilitetit të rajonit. Duhet të jemi shtet që kemi kapacitete të kontribuojmë me kapacitetet tona të brendshme ushtarake, policore e të tjera. Duhet të kemi miq dhe partnerë aleatë që dëshirojnë të na shohin afër tyre. Duhet të kemi një politikë të jashtme shumë aktive dhe shumë bindëse. Që fatkeqësisht që kemi që disa vite e kemi shumë pasive, shumë jo bindëse, shumë jo kredibile politikën e jashtme. Edhe kështu, politika e jashtme është ajo që i fuqizon aleancat ekzistuese, apo që fatkeqësisht i dobëson aleancat ekzistuese. Politika e jashtme është ajo që krijon aleanca të reja, krijon partneritete të reja, krijon miqësi të reja. Ne po e shohim që këto gjëra nuk po ndodhin”, ka thënë Çeku, për KosovaPress.
Çeku sjell në vëmendje faktin se rruga drejt NATO-s ishte trasuar qysh në vitin 1999 dhe ishte vizioni i tij dhe i bashkëluftëtarëve të tij që nga fillimi. Ai akuzon qeverinë aktuale se me veprime amatore diplomatike po rrezikon këtë projekt jetik. Sipas tij, Ministria e Jashtme duhet të udhëhiqet nga diplomatë me përvojë, dhe jo të përdoret për politika të brendshme elektorale.
Ai nënvizon se AAK-ja dhe Ramush Haradinaj kanë planin më konkret dhe më të sinqertë për këtë proces, duke ofruar garancinë se në qeverisjen e tyre, fokusi do të zhvendoset nga popullizmi te diplomacia reale dhe efektive që e çon Kosovën në NATO.
“Ideja për të hyrë në NATO, është e tyre, ka qenë edhe e imja qysh në fillim të karrierës, e kam bërë një studim, është publikuar rruga jonë drejt NATO-s e kemi trasuar në fillim, e kemi dhënë këtë mesazh në 99-tën që ne dëshirojmë të jemi pjesë e NATO-s. Edhe në këtë rrugë jemi duke vazhduar. Kurrkush më shumë se ka shtyrë këtë drejtim sesa Aleanca dhe zoti Haradinaj, edhe unë do të jem krah tij pikërisht në këtë drejtim dhe këtu e shoh angazhimin tim ë, të vetëm që ta ndihmojë përpjekjet e vendit tonë për integrim sa më të shpejtë”, ka thënë Çeku.








