Njohësi i çështjeve politike Seb Bytyqi, ka thënë se i ashtuquajtur “ Kuvendi gjithëserbë” i mbajtur më 8 qershor është një përditësim i takimit të Gazimestanit.
Ai ka thënë se ky takim shfaq qëllimet e njëjta si ai Gazimestanit të nacionalizmit serb, ku përfshihet edhe qëllimet e Serbisë ndaj Kosovës.
“Shihet si një lloj Gazimestani i dytë, mund të quhet version i përditësuar i takimit famëkeqe të Gazimestanit, ku përdoret një gjuhë pak ma diplomatike, më e butë, por që në thelb është i njëjtë i takimit të Gazimestanit ku qëllimi është një ringjallje e nacionalizmit serb dhe aty realizohen disa qëllime më konkrete, ku përfshihen edhe qëllimet e Serbisë ndaj Kosovës”, ka thënë Bytyqi në emisionin “Ditari” në Tëvë 1.
Ai ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të jenë të përgatitura për cfarë do eventualiteti, duke parë veprimet që Serbia ka bërë në tentimet për ta destabilizuar Kosovën.
Sipas tij, ndër masat që Kosova mund të ndërmarrë është që Kosova ta shpall Serbinë shtet sponzorizuese të terrorizimit, pas e ka akuzuar për sulmin në Banjskë.
“Një gjë që mund të bëhet është që Serbia të shpallet si shtet sponzorizues i terrorizimit, por kjo nënkupton se çfarë masa duhet të merren ndaj shteteve të tilla apo një shteti të tillë”, ka thënë ai.
Për këtë kuvend të Serbisë nuk ka pasur reagime nga Bashkimi Evropian.
E Bytyqi thotë se nuk pret që të ketë një reagim të nivelit të lartë, duke përmendur se përfaqësuesi i saj për Politikë të Jashtme dhe Siguri është në fund të mandatit dhe siç thotë ai, në raste të tilla nuk mund të priten reagime.
“Kuvendi gjithëserb” është mbajtur më 8 qershor në Beograd.
Përgjatë takimit, Qeveria e Serbisë dhe ajo e Republikës Sërpska, e kanë nënshkruar Deklaratën për mbrojtje të të drejtave kombëtare dhe politike dhe për të ardhmen e përbashkët të popullit serb.
Në organizimin e 8 qershorit kanë marrë pjesë edhe pjesëtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Presidenti serb ka thënë se ky dokument përmend edhe Kosovën edhe Rezolutën 1244.
“E kemi përmendur qartë edhe dialogun si rrugë thelbësore për zgjidhje të problemeve mes nesh dhe shqiptarëve. Nuk ka zgjidhje tjetër përveç dialogut”, ka thënë ai.
Përgjatë takimit është insistuar në, siç është thënë, “përdorimin e emrit të plotë të provincës jugore serbe – Kosova dhe Metohija” – si referencë për shtetin e Kosovës.
Deklaratën e këtij kuvendi pritet ta miratojë edhe Asambleja Kombëtare e entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, Republikës Sërpska.