Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi ka reaguar në seancën e Kuvendit të Kosovës, për rastin e mbrëmshëm në Suharekë ku u sulmua një argjendari dhe mbeti i plagosur një polic gjatë detyrës së tij.
“Mbrëmë një akt kriminal e vandal ndodhi në vendlindjen time në Suharekë, ku u bandit me synime të ulëta të vjedhjes , u sulmua një argjendari në qytetin tonë, duke goditur jo vetëm një biznes e jo duke plagosur vetëm një polic, i cili fatmirësisht tani është jashtë rrezikut për jetën, mirëpo duke e terrorizuar një qytet e besa edhe një shoqëri”, deklaroi ajo në mbledhjen e Kuvendit.
Bytyqi, në fjalimin e saj kritikoi kryeministrin Kurti dhe ministrin Sveçla për mos komunikimin publik për qytetarët e Kosovës ndaj sulmit terrorist.
“Kisha deshtë një pyetje kryeministrit, Se çka ka sot me iu thanë qytetarëve të Suharekës dhe gjithë Kosovës që në mes të ditës të ndodhë një akt i tillë kriminal?, ministria e juaj e cila lavdërohet për secilën meritë të policisë nuk pati asnjë plan operacional të vetëm, si është e mundur që në mes të ditës të ndodhë një vjedhje dhe të mos ketë një bllokim total të perimetrit të qytetit të Suharekës, të Prizrenit dhe gjithë Kosovës? Si është e mundur të ndodhë ky rast dhe të mos ketë një komunikim publik nga ju kryeministër dhe nga Ministri Sveçla? Për një konferencë për shtyp apo po iu duket ai akt i pa rëndësishëm i cili i terrorizoj çdo qytetar që e pa atë video”, tha Bytyqi.
Ajo kërkoi nga ekzekutivi që rastet e fundit të Prizrenit dhe të Suharekës, t`i trajtojnë me seriozitet të menjëhershëm dhe t`i ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm, sipas saj, ministri Sveçla duhet të jap dorëheqje morale.
“Kërkoj nga ju që rasti i Suharekës dhe i Prizrenit me të cilën u plagosen me bombë 10 persona të trajtoni me një seriozitet të shpejtë dhe të menjëhershëm dhe të ndërmerrni të gjitha masat që i merr një shtet serioz, që personat kriminel të cilët e bëjnë një akt makabër të arrestohen, të gjykohen dhe të vihen në pranga, është për marre se si një rast i tillë mundohet të shuhet dhe të tejkalohet ashtu heshturazi pa asnjë veprim të Qeverisë. E kam një pyetje për ministrin Sveçla, se a duhet për të ua bërë rrezikshmërinë Policisë së Kosovës, apo duhet të lëvdoheni dhe të thoni të pavërteta që ju keni bërë pagat 2000 euro, kjo është një gënjeshtër siç e dinë krejt Kosova. Mos u fshehni pas policisë dhe sukseseve të saj. Nëse nuk ndodh për këto raste kapja e krimineleve sidomos për ministrin Sveçla duhet të jepni dorëheqje morale nëse iu ka mbetur vetëm pak moral”, ka deklaruar Bytyqi.







