Profesori, Seb Bytyqi ka thënë se këto rezultate të deritanishme nga zgjedhjet e 9 shkurtit kanë qenë të pritshme.
Ai tha se është pritur një rënie e LVV-së dhe ngritje e lehtë e opozitës për shkak të zhgënjimit të qytetarëve që sipas tij ka të bëjë më disa faktorë.
“Rezultatet janë pak a shumë se siç është pritur. Këto shifra janë pritur, është pritur që të ketë një rënie të LVV-së dhe një rritje të lehtë të opozitës dhe kjo është reflektuar edhe në rezultate. Ka shumë faktorë për këtë sidomos nëse e shohim rënien e partisë në pushtet, ku mendoj që ka një zhgënjim në përgjithësi që ka të bëjë më situatën ekonomike, deri diku është injoruar investimi i brendshëm, thirrja për instalimin e shtetit zhvillimor, reforma më të rëndësishme në fushën e arsimit dhe shëndetësisë…”, ka thënë ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Deri më tani janë numëruar 97.71për qind e votave.
Nga këto të dhëna Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 40.94 për qind të votave, PDK 22.11 % , LDK 17.67 %, AAK 7.44 %, Lista Serbe 4.33 dhe Koalicioni për Familjen 2.27.
Këto rezultate preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta si dhe votat jashtë Kosovës.
Pjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit sipas KQZ-së është 40.59 për qind, ose 799,954.