Analisti politik Ardian Bytyqi, në emisionin “Ditari” në Tëvë1, ka komentuar aktivitetet e fundit të Presidentes Vjosa Osmani, e cila së fundmi është parë në takime të shpeshta me qytetarë.
Sipas Bytyqit, këto vizita nuk janë thjesht takime, por sinjale për një rikthim të mundshëm të saj në skenën politike.
“Presidentja Osmani nuk ka bërë vizita, por ka bërë fushatë. Unë mendoj që është e natyrshme që ajo të rikthehet në politikë. Është e re dhe i duhet skenës politike në Kosovë. Rikthimi i saj si subjekt i ri politik, apo edhe në LDK, do t’i bënte mirë demokracisë sonë”, është shprehur ai.
Ai ka theksuar më tej se, nëse Osmani vendos të rikthehet në politikë aktive, alternativa më e mirë do të ishte që ajo të garojë me një listë të sajën.
“Unë mendoj që shumë më mirë do të ishte që të paraqitet me një listë të vetën, ku do të përfshinte figura nga subjektet politike, analistë dhe nga shoqëria civile. Një listë e tillë mund të bashkëpunojë me LDK-në apo edhe me AAK-në, të cilat potencialisht mund të kenë sfida në kalimin e pragut”, ka deklaruar Bytyqi.
Në fund, ai shtoi se rikthimi i Osmanit në politikë do të ndikonte pozitivisht në forcimin e skenës politike në vend.
“Sa më shumë liderë që kemi përballë kryeministrit Albin Kurti, aq më e fortë bëhet skena politike”, ka përfunduar Bytyqi./teve1.info/







