Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Podujevës, njëherësh kryetari akual i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi ka thënë se arsimi do të jetë një nga prioritet kryesore të qeverisjes së tij në mandatin e ardhshëm.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Bulliqi ka premtuar se do të nisë mësimi tërëditor në shkollat e Komunës së Podujevës për nivelet parashkollor dhe fillor.
“Në qeverisjen e Podujevës arsimi do të ketë avancim të mëtejmë për arsye se jemi pothuajse në përmbyllje të infrastrukturës së mjaftueshme shkollore për të bërë të mundur mësimin gjithëditor. Na nevojiten edhe disa investime në disa në disa anekse të zgjerimit të objekteve shkollore ato të cilat ende nuk i plotësojnë kriteret. Për këtë qëllim tashmë vetëm kemi filluar ndërtimin e kuzhinës qendrore e cila do të jetë e gatshme për nevojat e fëmijëve qoftë të nivelit parashkollor, qoftë të nivelit fillor në mënyrë që t’iu sigurohet fëmijëve gjatë qëndrimit tërëditor në shkolla shujta e ngrohtë dhe kësisoj familjarët të lirohen nga kjo ngarkesë”, ka deklaruar Bulliqi.
I pyetur se kur planifikojnë ta realizojnë këtë premtim, Bulliqi ka shtuar: “Unë besoj në vitin e parë të qeverisjes tonë të mandatit të ri ne do të arrijmë t’I bëjmë këto 10 anekse zgjerime të hapësirave shkollore, disa të tjera jemi duke I bërë gjatë këtij viti dhe vitin e ardhshëm ato 10 anekse të reja dhe dy shkolla të reja të cilat planifikohen të ndërtohen ne I përmbushim kriterin e mjaftueshëm me numrin e nxënësve për të vazhduar me mësimin gjithëditor. Faktikisht nëse arrijmë për shtatorine vitit 2026 të jemi të gatshëm sigurisht që edhe do të mund të startojmë”.
Po ashtu, Bulliqi ka premtuar se gjatë mandatit të ardhshëm 4-vjeçar do të ndërtohen edhe 14 çerdhe të reja.
“Domosdoshmërisht do të vazhdojmë investimet në çerdhet publike. Mendojmë që në mandatin e ardhshëm 4-vjeçar të përmbyllim edhe ndërtimin e 14 çerdheve të reja për arsye se e kemi gjetur Podujevën me një çerdhe publike dhe brenda këtij mandati i kemi bërë edhe 8 të tjera”, është shprehur ai.
Ndërkaq, sa i përket shëndetësisë, ai ka premtuar rritjen e shërbimeve shëndetësore, përfshirë ato të fizioterapisë dhe logopedisë.
“Do të kemi E – mjekësinin ku mjeku do të komunikojë online me pacientin për shqetësimet, do ta avancojmë shërbimin shtëpiak. Planifikojmë të japim shërbime të reja si ai fizioterapisë, logopedisë, shërbime psikologjike dhe të tjera sociale. Ajo çfarë është e rëndësishme është se do të vazhdojmë subvencionimin e të sëmurëve me sëmundje kronike. Planifkojmë zonimin e pacientëve”, ka thënë Bulliqi./teve1.info/