Rruga kryesore e fshatit tani është e zbrazur.
Por, dy dekada më parë, kishte pamje krejt tjetër.
Janë këto pamje të vitit ‘98, kur rrugët e fshatit Cahan të Shqipërisë, ishin të mbushura me ushtarë të UÇK-së.
Në këtë formë, ky fshat në vitet ‘90, u bë qendër e trajnimeve për ata që donin t’i bashkoheshin luftës për çlirimin e Kosovës.
Njëri nga banorët e paktë që kanë mbetur në këtë fshat është Arben Cahani.
Ky kujton kohën kur fshati i tij dha kontribut të madh për luftën në Kosovë.
Në këtë fshat të Hasit, ndodhet edhe ish-baza e UÇK-së.
Mjaftojnë disa minuta qëndrim në oborrin e saj për ta kuptuar se kohë më parë këtu kishte prezencë ushtarake.
Ndërsa përball saj, ndodhen edhe këto tri depo.
Tani të harruara, dikur mbanin mijëra kilogram armatim, që më pas nisej për në Kosovë.
Por e gjithë lavdia e fshatit, ka mbetur vetëm histori.
Dy dekada më pas, fshati ka një pamje krejt tjetër.
Nga dyzetë e pesë shtëpi të banuara që kishte më parë, tani kanë mbetur vetëm tri.
Banorët e mbetur në këtë fshat thonë se Cahani u harrua nga shteti shqiptar.
Ndërsa një nga arsyet e largimit është rruga e paasfaltuar që të sjell në këtë fshat të Komunës së Krumës.
Tani këta banorë merren kryesisht me blegtori.
Ndërsa kushdo që e viziton këtë fshat nuk kalon pa u ndal të kroi.
E këtu bie në sy ky mbishkrim që kujton një nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të njohur si Operacioni “Shigjeta”
Sa herë kohët na kanë nda
Na bashkuan hallet e mëdha
Sa t’na rrjedh gjaku në vena
Jetën borxh….Shqipëri ta kena.
Gjatë viteve ‘90, në këtë fshat qëndruan edhe komandantët, si Adem Jashari, Mujë Krasniqi, si dhe këtu UÇK-së iu bashkuan edhe mërgimtarët. Ndër ta, edhe Batalioni “Atlantiku” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndonëse në territorin e Shqipërisë, as ky fshat nuk iu shpëtoi granatimeve.
Nga predhat serbe në oborrin e shtëpisë së tyre u vranë babë e bijë, Musa e Merita Cahani.
Kronika e gazetarit Fidan Zejnullahu.