Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, së bashku me Ministrin e Financave, Hekuran Murati, dhe Shefin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën, David Amaglobeli, prezantuan sot për mediat konkluzionet e Misionit të rishikimit sipas Nenit IV, i zhvilluar në Kosovë nga 3 deri më 13 shkurt 2026.
Guvernatori Ismaili falënderoi FMN-në për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe theksoi se diskutimet u fokusuan në zhvillimet makroekonomike dhe financiare, perspektivën ekonomike dhe prioritetet e politikave në sektorin financiar.
Ai vlerësoi që ekonomia e Kosovës vazhdon të paraqesë qëndrueshmëri dhe ecuri pozitive, pavarësisht sfidave të jashtme, ndërsa sektori bankar mbetet i kapitalizuar mirë, me likuiditet të lartë dhe nivel të ulët të kredive joperformuese.
Sipas të dhënave të BQK-së, kreditimi bankar ka shënuar rritje vjetore prej 14.7%, depozitat janë rritur me 13%, dhe kredite joperformuese mbeten në nivelin e ulët prej 2.1%.
Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit është 17.2%, mbi kërkesën rregullative prej 14%, ndërsa treguesit e likuiditetit (LCR dhe NSFR) mbeten dukshëm mbi kufijtë e përcaktuar.
Guvernatori njoftoi se BQK ka bërë progres të rëndësishëm në zbatimin e rekomandimeve të mëparshme të Nenit IV, duke përfshirë përparimin në mbikëqyrjen bankare, finalizimin e draftit të Manualit SREP, miratimin e Ligjit të ri për Bankat, përforcimin e kornizës makroprudenciale dhe sistemin e pagesave, si dhe rregullimin e kripto-aseteve.
Ai theksoi se të gjitha këto reforma përforcojnë stabilitetin financiar, transparencën dhe integritetin e sistemit bankar, duke e vendosur Kosovën në një trajektore të qëndrueshme rritjeje ekonomike dhe përgatitje për harmonizim me standardet e Bashkimit Evropian.






