Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut mundëson hapjen e kapitujve për anëtarësimin e Shkupit në bllokun evropian.
“Ky vit është vendimtar për Maqedoninë e Veriut, andaj të gjitha partitë duhet të marrin përsipër përgjegjësitë”, tha Borrell gjatë një konference për media në Shkup.
Borrell, së bashku me komisionarin e BE-së për Zgjerim, Oliver Varhelyi, morën pjesë në takimin me autoritetet maqedonase në takimin e Këshillit për Stabilizim Asociim mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut.
“Maqedonia e Veriut mori për obligim që të ndryshojë Kushtetutën dhe të përfshijë në të edhe qytetarë që jetojnë në kufijtë e shtetit dhe që janë pjesë e nacionaliteteve të tjera, siç janë bullgarët”, tha Borrell.
Ai përmendi shembullin e Kroacisë, e cila në Kushtetutën e saj ka përfshirë 22 bashkësi të ndryshme që jetojnë në shtet.
“Shteti juaj tani paraqet një shembull të shkëlqyer për sa i përket shoqërisë multietnike. Për këtë arsye ndryshimi i Kushtetutës, vetëm se do t’i përparojë të drejtat themelore, dhe nuk dyshoj se me këtë do të ruhet identiteti maqedonas dhe njëkohësisht të shënojë përparim procesi i integrimit”, theksoi Borrell.
Zyrtari i lartë evropian tha se me ndryshimet kushtetuese nuk do të vënë në rrezik identitetin maqedonas.
“Identiteti juaj do të jetë i mbrojtur. Nuk do të jeni më pak se kjo që jeni, por vetëm do të bëheni pjesë e BE-së”, tha ai.
Kërkesa për ndryshimet e Kushtetutës, përkatësisht përfshirjen e pakicës bullgare në preambulë si popull shtetformues, vjen nga marrëveshja me Bullgarinë,
bazuar në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy shteteve për identitetin maqedonas, gjuhën dhe dallimet historike./rel










