Qarkullimi po bëhet lirshëm.
Veturat që po vijnë nga Serbia po hyjnë pa ndonjë telash në Kosovë, përmes pikëkalimit kufitar në Merdarë.
Mirëpo njëjtë nuk ishte gjatë ditës së djeshme, pasi disa qytetarë serbë bllokuan rrugën duke pamundësuar kështu kalimin e saj.
Kjo për shkak se u nis ndërtimi i dy urave mbi lumin Ibër në qytetin e Mitrovicës.
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar kërkoi nga udhëtarët të shfrytëzojnë rrugë tjera për evitimin e pengesave në rrugë.
E pas më shumë se një ore bllokadë, ajo u lirua për qarkullim.
“Njoftohen të gjithë qytetarët se rruga në pikën kufitare Merdarë është rihapur për qarkullim, pas përfundimit të bllokadës së përkohshme nga qytetarët në teritorin e Serbisë. Qarkullimi tashmë është i lejuar në të dy drejtimet, luten të gjithë pjesëmarrësit në trafik të qarkullojnë me kujdes të shtuar, për shkak të sigurisë dhe mundësisë së vonesave të lehta”, kanë shkruar QKMK.
Derisa të mërkurën, disa prej udhëtarëve i thanë mediumit prapa kamerës se nuk kanë hasur në ndonjë pengesë.
E një nga taksistët që punon në afërsi të këtij pikëkalimi, thotë se është vërejtur lëvizje më e pakët gjatë kohës së protestës, të martën pasdite.
“Pa s’i kam, lajmëru kanë, një gjysë ore por sot është në rregull, gjithçka në rregull… S’ka pasë qarkullim dy anët e bllokume serbët kanë lajmëru… Nuk kom pas kontakt por fjalë të popullit që flasin një ish kanë ish frigu shumë, ish kanë me familje normal që frikohet njeri në aso raste, por ka kalu mirë, pa pasoja”, ka thënë taksisti, Izmi Islami.
Të mërkurën ka pasur bllokim të rrugës edhe në magjistralen në Rashkë në drejtim të pikës kufitare të Jarinjes, por që edhe kjo është liruar.