Policia e Kosovës konfirmon për tëve1 se nga 9 pjesëtarët e evakuuar nga KFOR-i, 6 ishin burra kurse 3 gra. Pas trajtimit mjekësor, policia thotë se ata janë lëshuar në shtëpitë e tyre.
Ndërkohë, edhe pas 12 ditëve të barrikadave, dhjetëra zyrtarë policorë mbeten në Jarninjë e Leposaviq.
“Sa i përket zëvendësimit të këtyre zyrtarëve policorë dhe numrit të zyrtarëve të angazhuar në veri të vendit, përfshirë ata në pikat kufitare, Policia e Kosovës posedon kapacitete të mjaftueshme të burimeve njerëzore dhe logjistike, për realizimin e detyrave policore”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Por, nga Sindikata e Policisë së Kosovës, po kërkohet që të mundësohet ndërrimi i të gjithë pjesëtarëve të mbetur atje.
“Shqetësimi ynë është se pse KFOR-i po heziton të asistoj në ndërrimin e tyre, ndërsa menaxhmenti i policisë ka bërë planet e veta dhe jemi duke pritur një aprovim të një kërkese për ndërrimin e zyrtarëve policorë në këto dy lokacione. Kemi kapacitete logjistike dhe njerëzore qe ne ta bëjmë atë ndërrim, kemi kapacitete që edhe barrikadat ti largojmë por jemi duke pritur një vendim të Qeverisë dhe partnerëve ndërkombëtar”, tha Imer Zeqiri nga Sindikata e Policisë së Kosovës.
E gjithë kjo situatë sipas anëtarit të komisionit për Siguri dhe Mbrojtje nga radhët e PDK-së, Rashit Qalaj ndërlidhet me kërkesën e tyre për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve policorë.
E me këtë nuk po pajtohet zëvendëskryetari i këtij komisioni nga Vetëvendosja, Enver Dugolli.
Dugolli thotë se nuk duhet të përdorët kjo situatë për kërkesa të tilla.
Për shkak të barrikadave në veri të vendit, zyrtarët policorë dhe doganierët janë bllokuar nga 10 dhjetori në pikat kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë.
Kronika e gazetares Fetije Kamberi.