Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog Besnik Bislimi, ka pritur në takim përfaqësues të Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës.
Në këtë takim sipas komunikatës, Bislimi ka thënë se çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë është trajtuar me prioritet.
“Shkëmbimi i sotshëm përkoi në prag të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë. Në këtë takim, palët u dakorduan për mbajtjen e një tryeze senzibilizuese për Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë, e cila përkujtohet çdo vit më 30 gusht. Zëvendëskryeministri Bislimi i njoftoi shoqatat dhe për adresimin me prioritet në Bruksel në kuadër të procesit të dialogut të çështjes së personave të zhdukur me dhunë, mbi angazhimin e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, si dhe iu ofroi mbështetjen e vazhdueshme për sensibilizim dhe avokim në lidhje me këtë çështje”, thuhet në komunikatë.