Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim ministrin për Evropë dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasanin.
Gjatë takimit, Bislimi ka vënë në pah bashkëpunimin ndërqeveritar mes dy vendeve, teksa ka thënë se marrëveshjet tashmë të zbatuara, kanë kontribuar pozitivisht në arsim, kulturë, shëndetësi, infrastrukturë e bashkëpunim ndërkufitar.
“Ministri Hasani iu bashkëngjit këtij konstatimi duke theksuar intensifikimin e vëllimit tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë, i cili është rritur për 100 milionë euro vetëm vitin e kaluar. Më tej, u diskutua rreth sfidave të përbashkëta ku mund të bashkëpunojmë akoma më shumë, si integrimi evropian, mirëpo edhe në fushën e sigurisë dhe të bashkërendimit për ruajtjen e të drejtave të shqiptarëve në rajon, e në veçanti në Luginën e Preshevës, pasur parasysh diskriminimin me të cilin përballen shqiptarët”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Po ashtu, kanë njoftuar se gjatë takimit u fol edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Qëndrojmë me dëshirë të mirë e energji të plotë, për ta rritur bashkëpunimin e afruar shtetet tona sa më afër me njëri tjetrin. U diskutua dhe mbi rëndësinë e mbështetjes së Shqipërisë ndaj Kosovës edhe në sfera të ndryshme, veçanërisht anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, ku ministri shprehu gatishmërinë e tij për të përkrahur Kosovën në këtë drejtim”, thuhet tutje në njoftim./teve1.info/.







