Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ka pritur në takim Drejtorin e Përgjithshëm për Ballkan në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Turqisë, ambasadorin Ilhan Saygili, i shoqëruar nga ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili.
Përmes një komunikate, është bërë e ditur që palët kanë diskutuar për thellimin e raporteve mes të dyja vendeve, përfshirë këtu edhe mundësitë e zgjerimit të mëtejmë në fusha të ndryshme, raporton teve1.info.
“Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim Drejtorin e Përgjithshëm për Ballkan në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Turqisë, Ambasadorin Ilhan Saygili, i shoqëruar nga ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili. Palët diskutuan mbi thellimin e raporteve mes dy vendeve tona dhe mundësitë e zgjerimit të mëtejmë të bashkëpunimit bilateral, në fusha të ndryshme me interes të përbashkët. Potencial të madh shfaqin rritja e shkëmbimeve tregtare, shtimi i investimeve nga bizneset e Turqisë, por edhe organizimi i aktiviteteve të përbashkëta”, thuhet në komunikatë.
Ndër të tjerash, thuhet se në takim është shprehur mirënjohje e thellë ndaj Kosovës, për ndihmën e dhënë dhe dërgimin e ekipeve të shpëtimit në rastin e tërmetit të fuqishëm që goditi Turqinë.
“Duke i uruar qëndrim të frytshëm dhe produktiv në Kosovë, zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi z. Saygili për takimin, bisedën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të Republikës së Turqisë me Republikën e Kosovës”, thuhet tutje./teve1.info/.







