Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Faton Bislimi, ka komentuar takimin ndërmjet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke theksuar se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën ka qenë dhe mbetet e palëkundur.
Takimi ndërmjet Osmanit dhe Rubios u zhvillua në Departamentin Amerikan të Shtetit, në 18-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Presidentja bëri të ditur se në takim u diskutua për forcimin e aleancës strategjike dhe për hapa konkretë që kanë rëndësi jetike për qytetarët e Kosovës.
Në këtë kontekst, Bislimi vlerësoi se historikisht ShBA-ja ka qenë përkrahëse e të drejtës dhe e vullnetit të popullit të Kosovës për liri e pavarësi.
“Historikisht, ShBA-ja ka qenë përkrahëse e të drejtës, përkrahëse e vullnetit të popullit për liri e pavarësi, siç është Kosova. Që nga mes vitet e ‘80-ta e deri më tani nuk ka pasur ndonjë ndryshim esencial, ndonjë përmbytje të këtij qëndrimi amerikan karshi Kosovës, veçanërisht karshi përkrahjes për një shtet të pavarur, të lirë dhe sovran, siç është Republika e Kosovës sot”, deklaroi ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Sipas tij, 18-vjetori i marrëdhënieve diplomatike e gjen Kosovën si një shtet që synon integrimin e plotë në familjen euroatlantike, ku roli i ShBA-së është kyç.
“Ky 18-vjetor, na gjen po ashtu si një vend, i cili mëton të ecë përpara, mëton të bëhet pjesë e barabartë e familjes euroatlantike, ku ndër kryesorët janë ShBA-të dhe ne do të ia arrijmë këto përderisa jemi në vijë të njëjtë dhe brenda orbitës së politikës së ShBA-ve. Kushdo që ka pasur dyshim në një moment të caktuar se Amerika do të ia kthente shpinën Kosovës dhe disi do të bëhej me Serbinë, ose nuk e ka kuptuar, ose nuk ka dashur ta kuptoj gjeopolitikën dhe interesin gjeostrategjik kombëtar të ShBA-ve”, deklaroi ai.
Ai theksoi se partneriteti me Shtetet e Bashkuara mbetet themelor për të ardhmen euroatlantike të Kosovës dhe për konsolidimin e saj si shtet sovran në arenën ndërkombëtare. /teve1.info/








