Zëvendëskryeministri i Kosovës, Bisnik Bislimi, gjatë vizitës në Francë, është takuar me nënkryetaren e Asamblesë Kombëtare, Valerie Rabault, kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme, Jean-Louis Bourlanges dhe deputetin Arthur Delaporte.
Në këtë takim, Bislimi ka shprehur mirënjohje ndaj shtetit të Francës për miqësi dhe partneritet.
“Zëvendëskryeministri Bislimi shprehu mirënjohjen ndaj shtetit të Francës për miqësinë e partneritetin e ngushtë. Ai i informoi znj. Rabault, z. Bourlanges dhe z. Delaporte mbi sukseset, arritjet e objektivat tutje të Republikës së Kosovës veçanërisht në zhvillim ekonomik e sundim të ligjit”, thuhet në njoftim të Zyrës së Kryeministrit.
Gjatë diskutimit, Bislimi ka thënë se prioriteti i Qeverisë së Kosovës është integrimi evropian.
“Në lidhje me procesin e integrimit evropian, ai theksoi se është prioritet për Qeverinë dhe se mbetemi të përkushtuar në zbatimin e reformave dhe avancimin në rrugëtimin tonë evropian. Në vazhdimësi po dëshmojmë që jemi gati për hapa tutje, të mbështetur jo vetëm nga gatishmëria e niveli i përgatitjes së institucioneve tona, por edhe nga vullneti e përkrahja qytetare për këtë proces. Procesi i integrimit evropian duhet të jetë i bazuar në meritokraci e qasje të barabartë për të gjitha shtetet”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, sipas njoftimit, palët kanë diskutuar edhe mbi procesin e dialogut, sulmin terrorist e aktin e agresionit të Serbisë ndaj Kosovës./teve1.info/