Publikimi i fundit i dosjeve që lidhen me autorin e ndjerë të krimit seksual, Jeffrey Epstein e cila ka nxitur reagime të mëdha, sipas profesorit universitar, Dashamir Bërxulli po përdoret nga politika për të sulmuar njerëz.
Ai ka thënë se publikimi i këtyre dosjeve në këtë kohë, përveç presionit publik është bërë edhe për të bërë politikë.
Bërxulli në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1 ka thënë se kjo situatë është luftë për pushtet.
“Në këtë rast po bëhet edhe politikë përtej presioni publik për publikimin e dosjeve, politika po përdor një rast të tillë për të sulmuar njerëz. Peronat nga Evropa që përmenden këtu janë dëm kolateral në sensin që kanë komunikuar, por janë lufta të brendshme në SHBA. Politika ka vendosur të bëjë një gjë të tillë dhe është e qëllimshme që janë publikuar emrat e viktimave që nuk do duhej dhe janë fshirë emrat e atyre që nuk janë viktima. Është luftë për pushtet dhe për të treguar se kush është më i pastër dhe më pak i pastër. Nga të dyja krahët e politikës dhe me gjerë”, ka thënë ai.
Në dosjet e Epstein janë përmendur figura të larta të politikës dhe biznesit nga shumë vende të botës.
Aty u raportuar se janë përmendur edh ish- presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli dhe ish- presidentja Atifete Jahjaga. Të dy kanë mohuar se kishin kontakt me Jeffrey Epstein.
Në fund të janarit autoritetet amerikane publikuan rreth 3.5 milionë faqe dokumente dhe materiale nga hetimet e Epstein (të ashtuquajtura “Epstein Files”), duke përfshirë dokumente, foto dhe komunikime që lidhen me lidhje financiare, sociale dhe politike të tij me figura të njohura botërore. Ky publikim ka shkaktuar reagime të forta, përfshirë kritika për ekspozimin e të dhënave të viktimave, si dhe shkarkime dhe reagime në qarqe të larta profesionistësh dhe politikanësh në SHBA e më gjerë.




