Berisha tha në fjalën e tij se viti 2022 ishte një vit i vështirë për demokratët pasi kryeministri Rama përdori çdo mjet dhe institucion shtetëror për të gjunjëzuar opozitën.
“Nuk mund të mbyllja vitin pa paraqitur një bilanc të vitit që lëmë pas në vlerësimin e PD-së dhe timin.
Në këtë kontekst, viti 2022 do të skalitet në muret e kohës si viti i opozitës shqiptare.
Do skalitet si viti i opozitës shqiptare sepse ndaj përpjekjeve të jashtëzakonshme të popullit opozitar, të PD-së, për qëndruar si opozitë e vërtetë u përdorën të gjitha mjetet e paligjshme kundër kësaj opozite, me qëllimin e vetëm, që ta mbanin atë një parti simotër të krimit në pushtet.
Edi Rama dhe qeveria e tij përdori çdo mjet, çdo institucion, përdori policinë, shërbimin informativ, drejtësinë, me qëllimin e vetëm që të gjunjëzonte opozitën.
Përdori bandat, përdori forma nga më të turpshme të korrupsionit, gjer dhe sulmet fizike të paprecedentë në historinë e këtij vendi, me qëllimin më ogurzi të zhdukjes së opozitës”, tha Berisha.