Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka kritikuar fjalimin e sotëm të kryeministrit Albin Kurti në Kuvend, duke e cilësuar atë si fillim të një fushate të re zgjedhore jo zgjidhje për ngritjen e çmimeve të naftës, për çka edhe është thirr seanca e jashtëzakonshme nga LDK-ja.
Sipas Behramit, Kurti po synon ta mbajë situatën politike në gjendje krize për të ruajtur pozitën e tij si kryeministër në detyrë.
Ai pretendon se kjo lidhet edhe me zhvillimet ndërkombëtare dhe me qëndrimin e ShBA-së, duke përmendur edhe Donald Trump.
“Fjalimi i Kurtit në Kuvend është fillimi i një fushate të re zgjedhore. Ai dëshiron me mirëmbajt krizën dhe me mirëmbajt edhe statusin e tij si kryeministër në detyrë. Albin Kurti e ka synim që sa të është Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë ai me qenë gjithmonë kryeministër në detyrë, xhipat e zi, paratë me i pas në dorë – kjo ndërlidhet me marrëveshjen e dëmshme që e ka bërë në Ohër, ku e ka pranuar autonominë substanciale për veriun…”, deklaroi ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Behrami gjithashtu e akuzoi Kurtin për shmangie të trajtimit institucional të marrëveshjes së arritur në Ohër, duke thënë se ajo nuk po dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për shkak të përmbajtjes së saj. Sipas tij, kjo marrëveshje ka pasoja të dëmshme dhe lidhet me çështjen e veriut të vendit.
“Prandaj nuk e çon në Gjykatën Kushtetuese, sepse e di e çfarë ka bërë edhe Trumpit i frikësohet që ai mundet me krijua presion të mjaftueshëm për implementimin e marrëveshjes së tij, e cila Kurtin e pozicionon jo aty ku është Adem Jashari, Adem Demaçi, jo aty ku është Ibrahim Rugova e Hashim Thaçi, por në këtë anën tjetër të historisë”, tha ia.
Në seancën e sotme, nuk është hedhur fare në votim rezoluta e propozuar nga LDK e që u mbështet edhe nga PDK dhe AAK, për uljen e akcizës dhe TVSh-së për naftën, si dhe subvencionimin e çmimeve për sektorët më të ndjeshëm të ekonomisë. Në sallë kshin të pranishëm vetëm 27 deputetë, derisa seanca u përcoll me tensione e përplasje mes pushtetit e opozitës. /teve1.info/



