Artan Behrami nga Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se me kërkesën e Prokurorisë Speciale në Hagë për dënimin me nga 45 vite burg për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është shuar çdo shpresë se në këtë gjykatë mund të ketë drejtësi.
Behrami, në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, ka thënë se kjo kërkesë dëshmon se Gjykata Speciale nuk është gjykatë e Kosovës, pasi sipas tij nuk respekton Kodin Penal të Kosovës, Kushtetutën e vendit dhe as ligjin e aplikueshëm në kohën e luftës.
Ai ka shtuar se as konventat ndërkombëtare, sipas tij, nuk e mbështesin një kërkesë të tillë, ndërsa kërkesën e përgjithshme prej 180 vitesh burg e ka cilësuar si skandaloze dhe të papranueshme.
“Sot u dëshmua se kjo gjykatë nuk është fare e Kosovës, pasi nuk respekton Kodin Penal të Kosovës, në të cilin nuk figuron dënimi prej 45 vitesh. Nuk respekton Kushtetutën e Kosovës, madje as ligjin e aplikueshëm të asaj kohe, atë jugosllav, i cili për krime lufte parashihte maksimumi 15 vite burg. Po ashtu, nuk respekton as konventat ndërkombëtare. Sugjerimi, apo kërkesa për gjithsej 180 vite burg, është skandaloze, pasi këto dënime zakonisht u referohen personave përgjegjës për gjenocid dhe jo heronjve. Prandaj, mendoj se kjo kërkesë është një pikëpërmbysje shumë e madhe, e cila ka përhapur pezm të madh në Kosovë dhe ka shuar njëherë e përgjithmonë shpresën e atyre që besonin se në Gjykatën Speciale mund të ketë drejtësi”, ka thënë ai.
I pyetur se çfarë sinjali përçon kjo kërkesë e Prokurorisë Speciale, Behrami ka thënë se ajo synon dy qëllime kryesore.
Sipas tij, e para ka të bëjë me ushtrimin e presionit mbi trupin gjykues, ndërsa e dyta me kompensimin e, siç u shpreh ai, humbjeve të prokurorisë gjatë procesit gjyqësor.
“Prokuroria, me kërkesën për 180 vite burg, është munduar të përçojë dy sinjale. Gjatë gjithë kohës ajo ka investuar në marketing politik dhe është përpjekur të manipulojë opinionin publik në Kosovë përmes thashethemeve. Me kërkesën prej 45 vitesh për secilin, synohet të krijohet presion mbi trupin gjykues që ata të mos i lirojnë krerët e UÇK-së. Elementi i dytë është se Prokuroria ka humbur çdo betejë brenda sallës së gjyqit dhe tani po tenton ta kompensojë këtë me një kërkesë të tillë”, ka theksuar ai.
Sa i përket reagimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale, Behrami ka thënë se reagimet e Qeverisë dhe të disa personaliteteve publike janë shumë të vonshme.
“Reagimet e qeverisë dhe të disa personaliteteve janë shumë të vonshme sepse jemi në fund të procesit. Për katër deri në pesë vjet, shteti i Kosovës ka abstenuar nga çdo involvim për të ruajtur interesin e Republikës së Kosovës në Hagë dhe për të adresuar shqetësimet për shkelje të të drejtave të njeriut. Megjithatë, edhe në këtë kohë që ka mbetur, ne mund të bëjmë disa veprime për të cilat duhet të sigurohemi se Gjykata Speciale do të marrë një vendim të papolitizuar, dhe këtu ka rol edhe shteti i Kosovës”, ka thënë ai.
Në fund, Behrami ka bërë thirrje për unitet politik dhe shoqëror në Kosovë, duke thënë se kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me individë të caktuar, por me të ardhmen dhe historinë e vendit.
“Ne duhet që kjo ditë të na bëjë bashkë, pa dallim partie politike apo orientimi ideologjik, sepse sot u dëshmua se kjo gjykatë nuk është duke gjykuar individë. Nuk është në lojë fati i ish-krerëve të UÇK-së, por fati i Kosovës dhe i së ardhmes sonë. Kjo është një tendencë për rishkrim të historisë, të cilën nuk do ta lejojmë të ndodhë”, ka përfunduar ai.
Ndryshe, pokurorja e specializuar Kimberly West të hënën njoftoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të dënohen me nga 45 vjet burgim apo 180 vjet në total./teve1.info/




