Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, mbajti një fjalim në Kuvendin e vendit fqinj, ku theksoi rëndësinë e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe rolin e tyre në stabilitetin rajonal.
Begaj e cilësoi Maqedoninë e Veriut si një nga partnerët më të besuar të Shqipërisë, duke theksuar se
“RMV nuk është vetëm vend fqinj i afërt dhe aleat, por një vend që Republika e Shqipërisë ka marrëdhënie tradicionalisht të mira. Historia e suksesit e dy vendeve tona bazohet në dialog, në ndërtimin e urave të komunikimit, në mbështetje reciproke dhe në maturi për të shmangur përplasjet.”
Ai kujtoi se Shqipëria ishte ndër të parat që ratifikoi marrëveshjen për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.
“Shqipëria ishte vendi i parë që e njohu dhe ndër të parat që ratifikoi marrëveshjen e anëtarësimit të RMV-së në NATO. Kur izolimi rrezikonte zhvillimin tuaj, Porti i Durrësit ishte një frymëmarrje ekonomike për ju. Fqinji i mirë njihet në ditë të vështira.”
Presidenti Begaj nënvizoi se angazhimi i përbashkët për integrimin në Bashkimin Evropian duhet të shoqërohet me intensifikim të bashkëpunimit ekonomik.
“Angazhimi ndaj BE-së duhet të shoqërohet me të njëjtin nivel bashkëpunimi ekonomik. Kemi marrëveshje për projekte dhe sektorë të veçantë, por duhet të investojmë më shumë në teknologji, turizëm dhe energji të rinovueshme, si dhe të forcojmë rolin e dhomave të tregtisë, sipërmarrësve dhe institucioneve të arsimit.”
Ai e cilësoi krijimin e një tregu të përbashkët rajonal si domosdoshmëri për zhvillimin e qëndrueshëm, duke shtuar se, “Dy vendet tona kanë ende shumë për të bërë, veçanërisht në drejtim të forcimit të bashkëpunimit ekonomik. Krijimi i një tregu të përbashkët rajonal është një domosdoshmëri për zhvillimin dhe rritjen e qëndrueshme.”
Në fjalën e tij, Begaj u ndal edhe te projekti i Korridorit VIII, i cili u shpreh se “Është mundësi punësimi dhe arterie për tregtinë. Është më shumë se një rrugë transporti, është një projekt i sigurisë dhe na vendos në zemër të këtij boshti strategjik.”
“Jemi në një rrugëtim të përbashkët drejt Bashkimit Evropian, me një orientim të qartë pro-perëndimor dhe miq të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kemi mësuar nga përvojat reciproke dhe sot marrëdhëniet tona janë një shtyllë stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Këto marrëdhënie duhet të përkthehen në më shumë mirëqenie dhe zhvillim ekonomik për qytetarët tanë.”-tha ndër të tjera në fjalën e tij Presidenti Begaj. /rtsh.al/









