Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se autoritetet e Kosovës kanë qenë të informuara paraprakisht për testimet e kryera mbi Urën e Ibrit në Mitrovicë.
Në një përgjigje për Tëvë1, BE-ja ka theksuar se aktualisht po kryen një vlerësim rutinë strukturor të urës dhe një studim urbanistik të zonës përreth, duke pasur parasysh kohën e kaluar që nga përfundimi i rivitalizimit të Urës së Mitrovicë.
Sipas BE-së, ky vlerësim nuk sinjalizon ndonjë ndryshim në status quo, por synon të sigurojë që çdo vendim në lidhje me të ardhmen e urës të bazohet në të dhëna teknike të azhurnuara, të sakta dhe objektive.
“BE-ja aktualisht po kryen një vlerësim rutinë strukturor të urës dhe një studim urbanistik të zonës përreth, duke pasur parasysh kohën e kaluar që nga përfundimi i rivitalizimit të Urës së Mitrovicës. Autoritetet e Kosovës janë informuar siç duhet paraprakisht. Ky vlerësim nuk sinjalizon ndonjë ndryshim në status quo, por synon të sigurojë që çdo vendim në lidhje me të ardhmen e urës të bazohet në të dhëna teknike të azhurnuara, të sakta dhe objektive. BE-ja po koordinohet ngushtë me partnerët e saj ndërkombëtarë në Kosovë në lidhje me të ardhmen e urës”, thuhet në përgjigjen e BE-së për Tëvë1.
Ndërkohë, BE-ja i ka nxitur autoritetet e Kosovës të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar, përfshirë ndërtimin e urave ngjitur, duke thënë se ‘të gjitha marrëveshjet e dialogut Beograd-Prishtinë, përfshirë atë që ka të bëjë me urën, duhet të zbatohen plotësisht”./teve1.info/