Nga Kim Mehmeti
Janë qesharak ata që thonë se BDI’ja i ka humbur këto zgjedhje vendore.
Jo, edhe këto zgjedhje, njësoj si njëzet vite me radhë, ato i fitoi partia e cila duke u shërbyer sunduesve maqedonas, e mbulonte të vërtetën se shqiptarët e këtushëm nuk janë as popull shtetëformues, as popull bashkëdrejtues të Maqedonisë së Veriut.
Pra, në këto zgjedhje lokale ndodhi ajo që ka ndodhur me gjitha partitë e mëparshme shqiptare të cilat i ka mposhtur e bija që e kanë lindur ato vetë.
Pra ndodhi që krahu i Çairit i BDI’së – që mbulohet me emrin e ri, që populli të harroj se bëhet fjalë për njerëzit e njëjtë që njëzet vite me radhë janë në pushtet – deri diku e mposhti krahun e Zajazit të BDI’së, që gjithashtu u mbulua me emblemë të re, që mos shihen fytyrat e atyre që njëzet vite me radhë popullin e gënjenin se shtetëformues atë e bënë kryeministri dhe kryetari i kuvendit shqiptarë.
Ndërkohë duhet thënë se krahu i Zajazit i BDI’së nuk arriti t’i realizojë parashikimet parazgjedhore edhe shkaku se drejtuesi i tanishëm i saj u rrit aq shumë mendsh sa filloi të besojë se është vasal i pazëvendësueshëm.
Pra drejtuesi i AKI’së harroi se vasalin e përcakton sunduesi, e jo e kundërta dhe andaj u mposht nga ata që ai vetë i kishte rritur e stërvitur, por të cilët më mirë se ai e kishin kuptuar se vasal më jetëgjatë është ai që vepron sipas parimit: “Lidhe kalin aty ku të thotë sunduesi edhe kur aty nuk ka kullosë dhe ku ai mund të ngordhë!’
Në të vërtetë shqiptarët e Maqedonisë vetëm e kanë votuar humbjen e vet. Dhe ato zgjedhje gjithmonë i ka fituar sunduesi maqedonas.
Ata i humbën gjitha zgjedhjet sepse u besuan gënjeshtrave se shtetëformues mund të bëhesh edhe pa të përmendur askund kushtetuta e vendit?
Pra shqiptarët e këtushëm o nuk e shihnin, o nuk donin ta shihnin se ata i ngjanin një kopeje me shumë barinj, por që të gjithë ata s’bënin gjë tjetër përpos që i çonin te ‘stani’ ku i ‘mjelte dhe i qethte’ sunduesi maqedonas.
Po pra, sado që duan të duken të ditur, janë qesharak gjithë ata që e shpjegojnë humbjen e BDI’së, e ndërkohë duke mos e pranuar humbjen e pandalshme disadekadëshe të shqiptarëve të këtushëm dhe fitoren e madhe të sunduesve maqedonas.
Siç është edhe fitorja e tyre e radhës e këtyre zgjedhjeve vendore në të cilat Kryeministri i sotëm i Maqedonisë së Veriut e realizoi ëndrrën e madhe të qarqeve antishqiptare: ta ‘luaj’ pjesën e dytë të konfliktit të 2001 dhe t’i mposhtë të gjithë drejtuesit e saj.
Gjë të cilën nuk do mund ta arrinte pa ndihmën e shqiptarëve që besonin se duke e mundur BDi’në do i çlirojnë shqiptarët që sunduesit maqedonas i konsideron si rob të luftës kundër shqiptarëve, luftë e filluar jo sot, por qysh nga themelimi i këtij shteti në vitin 1945.
Dhe shqiptarët e Maqedonisë mbase nuk do mposhteshin kaq lehtë nëse sunduesit maqedonas nuk do e kishin mbështetjen e Kryeministrit të Shqipërisë që kishte BDI’në e Zajazit dhe atij të Kosovës që u vëllazërua me BDI’në e Çairit!
E që thënë në mënyrë figurative thënë, u ngjanin dy loparëve që e mbajnë për brinësh lopën (lexo: shqiptarët e këtushëm) vetëm që ajo të mos lëvizë dhe që Kryeministri i Maqedonisë i papenguar të mund ta mjelë atë.
Kryeministër i cilit nuk duhet gjithaq t’u besojë këtyre VLEN’istëve të pavlerë dhe të cilit do duhet ndonjë dashamirës i tij dhe i Maqedonisë së Veriut t’i tregojë se nëse do vazhdojë edhe më tej defaktorizimi i shqiptarëve të këtushëm, atëherë ky shtet do shkojë për lesh.
Opinioni përmban pikëpamjet e autorit dhe nuk prezanton qëndrimet editoriale të teve1.info