As Amerika s’po mund ta qesë kryeministrin, Albin Kurti, në vijë. Kështu deklaroi kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Këtë deklaratë ai e dha duke folur për angazhimin e Qeverisë së Kosovës për çështjen e Luginës, për çka ai u shpreh i zhgënjyer me Qeverinë Kurti II.
“As Amerika nuk po mund ta qesë Albin në vijë, e lë më ne. Sepse, Kurti e ka botën e vet, ai e ndërton botën ashtu siç do ai, jo si është. Më shumë varet nga Qeveria në Prishtinë se çka ndodhë në Luginë të Preshevës”, potencoi Arifi.
Ndërkaq, sa i përket Asociacionit, Arifi vlerësoi që kjo situatë është krijuar si rezultat i financimit të vazhdueshëm të Serbisë për serbët në Kosovë.
“Ne edhe po të duam ta redikalizojmë situatën në Luginë të Preshevës, kush na mbështet neve? Qeveria Kurti dhe presidentja Osmani, kanë jetuar në një botë virtuale të tyre, jo në realitet”, shtoi tutje Arifi në Tëvë1.
______________________________________________________________________
Pse Kurti është jo-zyrtarisht person “non grata” sipas Arifit
Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, ka ripërsëritur deklaratën e tij se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është jo-zyrtarisht person “non grata”.
“Unë e them shumë ftohtë, ky person është vetëm jo-zyrtarisht person ‘i padëshiruar’ në latinisht ‘non-grata’, ‘i padëshiruar’, edhe atë e shihni ju vetë. Unë jam shumë i saktë në atë që po them, jo-zyrtarisht”, tha Arifi.
Më tej Arifi ka treguar se nga Qeveria e Kurtit II, nuk është takuar asnjëherë me krerët e shtetit, madje as nuk ka komunikuar.
“Kurtin e kam takuar kur ka qenë në Kurtin I, por komunikim kemi pasur pandërprerë, sidomos me Albinin por edhe me Glaukun në kohë pandemie. Në Qeverinë Kurti II, nuk kemi pasur hiç asnjë komunikim”.
Ndërsa, për kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën, Arifi thotë është ndryshe nga bashkëpartiakët e tij.
“Me Glaukun kam pasur komunikim kur është formuar Kurti II, kemi pasur takim, kur është pas zgjedhur kryetari i Parlamentit, e kemi pas një takim. Ka qenë një takim njoftues me Glaukun se kah është duke shkuar uji dhe unë kam kërkuar atë. Mua më duket Glauku pak më ndryshe nga të tjerët”, tha mes tjerat kryetari i Preshevës.
______________________________________________________________________
“Albini po don me u ba si Tita”
Kryetari i Luginës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka thënë se Lugina e Preshevës është dashur të trajtohet në mënyrë specifike, e jo në formë të gjeneralizuar nga Qeveria e Kosovës.
Arifi madje thotë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke u bërë si presidenti i dikurshëm i Jugosllavisë, Josip Broz Tito.
“Lugina e Preshevës ish dashur të trajtohet në mënyrë specifike, jo të gjeneralizuar me minoritetet tjera në Serbi. Pakicat tjera kanë qeveri që përkujdesen s’kanë nevojë për Kosovën. Bullgarët e kanë Bullgarinë, hungarezët e kanë Hungarinë, boshnjakët e kanë Bosnjën, kroatët e kanë Kroacinë. Çka po bën ky qetash? Ky si Tito qetash po do të bëhet. Unë për krejt po përkujdesem, rri këqyrna veç neve në Luginë mas pari”, ka thënë Arifi në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Kryetari i Preshevës tregon që ka informacione, prej të cilave thotë që për herë të parë Qeveria e tashme nuk është në vijë të përbashkët me ShBA-në dhe BE-në.
“Ne e kemi një qeverisje, e cila për herë të parë sipas informacioneve që kam nuk është në vijë të përbashkët politike me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Unë e frekuentoj Brukselin, Uashingtonin edhe Berlinin pa paret e Albinit, ato mua nuk më duhen. Unë shkoj atje kur kam dashtë dhe shkoj në vazhdimësi”, ka thënë ai.
Për këto informacione që Arifi thotë se është në dijeni, sipas tij ato janë duke qarkulluar në nivel ndërkombëtar.
“Këto informacione qysh me vite janë duke qarkulluar në nivel ndërkombëtarë, sidomos në Uashington”, shtoi ai.
______________________________________________________________________
“Bashkimi i Luginës me Kosovën është i mundur”
Bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën është i mundur sipas kryetarit të Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.
Ai ka treguar tri kushte për mundësinë e bashkimit të asaj treve me Kosovën.
Mirëpo, Arifi të rëndësishme e konsideron të ketë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
“Shkëmbimin e territoreve, e kam vendosur gjithmonë në tre kushte. Mirëpo, me tre kushte, e para, në qoftë se vlen për komplet Luginën e Preshevës, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, në kufijtë kadastrale të tyre. E dyta, në qoftë se nuk ndahemi në gjysmë, një pjesë të shkojë me Kosovën, e një pjesë të mbesë në Serbi. Ndërsa, i treti kusht ka qenë në rast që ndërkombëtarët janë dakord me këtë. Për ne është vitale ta kemi mbështetje ShBA-në dhe BE-në”, deklaroi Arifi në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Andaj, Arifi tha se ideja ka qenë që Lugina e Preshevës të përfshihet në Republikën e Kosovës./teve1.info/.







