Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve dhe zhvillimet aktuale në rajon.
Sipas njoftimit të Presidencës, në qendër të takimit ishte koordinimi politik dhe institucional ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe angazhimi i përbashkët për forcimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme, në funksion të avancimit të interesave strategjike të dy vendeve.
Osmani dhe Rama theksuan rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm Kosovë–Shqipëri si faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon, duke vlerësuar rolin konstruktiv të të dy shteteve në nisma ndërkombëtare që promovojnë dialogun dhe bashkëpunimin.
Gjatë takimit, u bë e ditur se u diskutua edhe për bashkëpunimin në kuadër të Bordit të Paqes, ku u nënvizua rëndësia e angazhimit të përbashkët në iniciativa globale që promovojnë sigurinë, dialogun dhe vlerat demokratike. Në këtë kontekst, u theksua se Kosova dhe Shqipëria janë të nderuara me ftesën nga Donald Trump për pjesëmarrje në këtë bord, si shenjë e partneritetit me aleatët strategjikë.
Dy liderët riafirmuan vullnetin për thellimin e bashkëpunimit vëllazëror, me theks të veçantë në partneritetin ekonomik, projektet e përbashkëta zhvillimore dhe krijimin e mundësive konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.
Presidentja Osmani, ndërkaq, përgëzoi kryeministrin Rama për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar këtë si një zhvillim që forcon perspektivën evropiane të gjithë rajonit.
Kryeministri Rama uroi Presidenten Osmani dhe qytetarët e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë, duke rikonfirmuar mbështetjen e Shqipërisë për shtetin e Kosovës dhe aspiratat e tij euroatlantike.








