Ish-ushtari i UÇK-së në Brigadën 138, Isni Berisha, ka përshkruar momentin e ballafaqimit të ushtarëve me forcat serbe dhe momentin se si ra dëshmorë komandanti Agim Ramadani.
Berisha në emisionin “Ditari” në Tëvë1 ka rrëfyer momentet që nga bashkimi i ushtarëve e deri te rënia heroike e komandantit.
Ish-ushtari i UÇK-së nën emocione ka përshkruar detajet pas thyerjes së kufirit në pjesën e Kosovës, dhe rrugën që ndoqën deri në brendësi të vendit.
“Një natë para se m’u thy kufiri më 8 prill kemi lëvizë në drejtim të Pateshit, prej atje para sabahu kemi lëvizur në drejtim të kufirit. Dikur kur jemi afruar në afërsi të kufirit kanë qenë të vendosur minahedhësit tonë në prapa vijë… dhe dikur kemi filluar të hymë në brendësi të kufirit në Kosovë. Edhe sot kam emocione. Kur jemi hy në brendësi të Kosovës, jemi takuar me njësinë ‘Delta’, e cila ka qenë e udhëhequr prej Agim Ramadanit, Anton Çuni, Afrim Zhurreci dhe Xhamajl Fetahut. Nga aty jemi bërë dy njësi dhe kemi filluar në drejtim kundërajrorit. Kur kemi shku aty e kemi asgjësuar kundërajrorin, e kemi marrë në pronësinë tonë. Aty ka marrë urdhër Agim Ramadani na ka ndarë në dy grupe ose në dy toge. Njërin tog e ka lëshuar në drejtim të kazermës në anën e djathtë, kurse neve na ka urdhëruar që të shkojmë në anën e majtë, prej anës së Koshares. Ajo ka qenë pika më dominante e gjithë asaj beteje”, tha Berisha.
Ai tregoi se te “Rrasa e Zogut” kanë qëndruar me ditë të tëra, derisa ka ardhur Agim Ramadani më datë 11 prill, këtë ditë kur edhe u flijua.
“Atje kemi qëndruar tri ditë e tri natë, në borë e shi, luftime çdo ditë. Më 11 prill ka ardhë Agim Ramadani me një skuadër ushtarësh, ku njëri prej tyre ka qenë edhe Nasim Vllasi. Na ka gjetur të pozicionuar, aty ka kërkuar nga komandanti ynë pesë ushtarë që me iu bashkëngjit. Ashtu bashkë kemi vazhduar deri te përroi”.
Duke vazhduar të qëndrojnë në atë pjesë, Berisha rrëfeu një moment të dhimbshëm, kur komandanti e kishte ndarë një bukë të tërë për të gjithë ushtarët nga pak.
“Aty na ka pytur komandanti se a kemi hëngër bukë. Ka qenë diçka interesante, por edhe e dhimbshme. Ai e nxori një bukë prej çante dhe më kujtohet shumë mirë se çdo njërit na ka dhënë nga një grusht bukë prej asaj pjese. E kemi hëngër ata bukë dhe jemi nisur sërish në anën e majtë. Kemi arritur te disa pisha, ku atje komandanti ka vërejtur lëvizjet e serbëve. Atje u konsultu me stafin e vetë, ku dy ushtarë i hipi mbi lisa të gjatë, ku nga aty kanë vëzhguar terrenin te poshtë. Më pas na ka ndarë në dy grupe ne që kemi qenë pesë me komandantin kemi vazhduar në anën e majtë, ku aty kemi hasur në forca serbe”, tregoi ai.
Berisha ka treguar ngjarjen se si kanë nisur luftimet dhe momentin se si u qëllua me plumb komandanti.
“Kur u hasëm me ta, atëherë komandanti na ka pozicionuar në ato mundësi që pati, pasi që ka qenë shumë borë e madhe. Kanë nisur luftimet. Një ushtar e ka parë që nuk është i pozicionuar mirë, ka lëvizur dhe ka dalë përpara e ka gjuajtur serbi, komandanti u çu në këmbë duke e pyetur a të murrë plumbi? Atje koftë e ka marrë plumbi komandantin. Në momentin kur komandanti u ngritë me pa a është gjallë ushtari. Ushtari ka shpëtu e plumbi e ka kap komandantin”.
“Nuk ka pasur aty ndonjë muhabet me komandantin. Kanë filluar luftimet, serbi ka sharë serbisht, prej mllefi unë kam dalë prej atij këndi që kam qenë afër një pishe pastaj kam gjuajt në drejtim të tij dhe kam sharë shqip. Ka qenë shumë në afërsi. Po të mos ishte njëri nga protagonistët kryesor që ka qenë Lutfi Hoxha unë as sot nuk do të isha gjallë. Më ka tërhjek më ka mbuluar me zjarr dhe jam kthyer jam hy në kamp”, u shpreh Berisha.
Ai tha se vetëm ushtarët që kanë qenë në afërsi e kanë ditur se ka rënë komandanti, të tjerët ai tha se nuk kanë qenë të informuar.
“Agim Ramadani ka ndërruar jetë në moment, është qëlluar në pjesën e epërme afër zemrës”, tha Berisha.
Agim Ramadani gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe ishte i pari që shkuli gurin-piramidën-kufitare në Koshare. Pas thyerjes së kufirit, në pjesën e Kosovës, te vendi i quajtur Rrasa e Zogut, ai ra heroikisht duke mos vdekur kurrë. Njihet me emrin konspirativ-Katana./teve1.info/