Komandanti i KFOR-it, gjeneral Enrico Barduani, të martën ka zhvilluar një takim në Tiranë me Ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, si dhe me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Gjeneral Leitnant Arben Kingji.
Sipas një njoftimi të lëshuar nga KFOR-i, diskutimet janë përqendruar në angazhimin e vazhdueshëm të misionit për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe më gjerë në rajon.
Po ashtu, në takim është theksuar edhe rëndësia e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Gjenerali Barduani theksoi se KFOR-i mbetet i përkushtuar për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet. Ai shprehu vlerësimin e tij për profesionalizmin dhe përkushtimin e kontingjentit shqiptar në kuadër të KFOR-it, duke nënvizuar kontributin e tyre të çmuar në mision dhe në promovimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu, ai vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë dhe partneritetit të qëndrueshëm mes KFOR-it dhe Shqipërisë”, thuhet në njoftim.