Mëngjesi i 19 janarit për Skenderajn ishte kthyer në ditë trishtimi. Vërshimet e shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut shkatërruan shumë ekonomi familjare, duke lënë shumë njerëz pa shtëpi mbi kokë.
E dëmtuar pothuajse në çdo cep, është edhe shtëpia e familjes Gecaj në fshatin Llaushë.
Balta ka mbuluar çdo gjë brenda shtëpisë duke e bërë të pabanueshme për të dhe familjen e tij.
Nezir Gecaj rrëfen për Tëvë1 tmerrin e asaj dite.
“Dëmet kanë qenë bukur të mëdha. Atë ditë ka qenë shumë ujë i madh. Dëmtimet më të mëdha janë në shtëpi banimi. Orenditë brenda të gjitha janë dëmtuar. E gjitha shpija brenda është e dëmtuar. Komuna na ka ndihmua vetëm më pako ushqimorë. Të gjitha janë dëmtuar nga vërshimet”, u shpreh ai.
Edhe Jahir Sadiku nga Fshati Tushilë thotë se e ka të pamundur jetesën në shtëpi, shkaku se kundërmon erë e keqe myku.
“Dëmet më të mëdha kanë qenë shtëpia brenda, mjetet, muri, pemët edhe gjithçka tjetër. Krejt mjetet janë shkatërrua brenda. Një pension e marr 100 euro. Unë po jetojë në një shtëpi afër këtu. Unë nuk jetojë në këtë shtëpi edhe fëmija nuk munden me ndejë prej ere myku”, tha ai.
E Musli Hoxha nga Llausha e Skenderajt thotë se është hera e dytë që përballen me vërshime.
Sipas tij, Komuna e Skenderajt i ka ndihmuar vetëm me pako ushqimore dhe veshmbathje.
“Është hera e dytë që bëhen dëme në këtë shtëpi. Diku niveli i ujit ka shkuar 80cm në dy dhoma dhe në sallon. Dëmet janë katastrofale. Unë nuk mund të jetoj në këtë shtëpi sepse është rrezik mu shemb. Do të jetoj edhe me qira. Po na ka ndihmua Fadil Nura me ushqim, veshmbathje por edhe pjesë tjera të Kosovës. Hiqma tuten që nuk shembet kjo shtëpi”, shprehet ai.
Selim Gecaj tha se nga vërshimet që kanë përjetuar brenda shtëpisë po jetojnë si po munden, madje janë detyruar të kalojnë në katin e dytë.
“Brenda çka kem pas krejt janë dëmtuar plus edhe jashtë garazha dhe mjete të punës. Po jetojmë qysh po mundem sepse jemi të shkatërruar. Komuna na ka premtu që do të na ndihmojë ne qoftë se jo do t’ia nisim prej fillimit vet”, tha ai.
E përveç dëmeve materiale, vërshimet dëmtuan rënd edhe infrastrukturën rrugore.
Ura në të cilën kalojnë banorët e Llaushës është bërë e pamundur të kalohet.
Madje, është shembur pothuajse e tëra.
Ndër komunat më të prekura nga vërshimet është Skenderaj, ku dëmet e shkaktuara kapin vlerën e mbi 15 milionë eurove.
Qeveria është në pritje të raporteve përfundimtare nga komunat, në mënyrë që të fillojë kompensimi i dëmeve.
Kronika e realizuar nga gazetarja Fitore Berisha.