Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani përfundimisht ka hequr të gjitha dilemat sa i përket të ardhmes së trajnerit Ilir Daja.
Me anë të një njoftimi të enjten, Ballkani ka bërë të ditur se trajneri Daja do të jetë në krye të ekipit të paktën edhe dy vjet. Ballkani ka konfimuar se rinovimi i kontratës së Dajës deri në vitin 2026 në muajin shkurt është valide.
“Ashtu siç kemi bërë të ditur në fund të muajit shkurt, profesor Ilir Daja do të jetë pjesë e jona, së paku edhe për dy vjet. Të gjitha planet e klubit për këtë periudhë kohore, lidhen me projektin e përbashkët me trajnerin tonë”, thuhet një njoftimin e Ballkanit ndër të tjera.
Nën drejtimin e Dajës, Ballkani ka arritur suksese historike. Ka fituar tri herë rresht titullin e kampionit, një herë Kupën dhe një herë Superkupën e Kosovës. Po ashtu, dy herë rresht është paraqitur në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.