Pas një fitoreje të madhe në shtëpi dhe një performance të pjekur, Ballkani i Suharekës është gati të shkruajë një tjetër faqe të lavdishme në historinë e futbollit kosovar.
Skuadra e drejtuar nga Orges Shehi do të përballet sonte me Shamrock Rovers në ndeshjen e kthimit të raundit të tretë të Ligës së Konferencës.
Nënkampioni i Kosovës ka marrë një fitore të rëndësishme në ndeshjen e parë, që u zhvillua në stadiumin ”Fadil Vokrri”, duke triumfuar me rezultat minimal 1-0.
Tani, kualifikimi do të vendoset në Tallaght Stadium në Dublin, ku të dy skuadrat kanë të njëjtin synim, fitoren dhe kalimin në raundin tjetër.
Vendasit shpresojnë për një përmbysje të madhe para tifozëve të tyre, ndërsa skuadra e Orges Shehit synon të mos mposhtet në Dublin dhe të sigurojë kualifikimin.
Ballkani ka dëshmuar se nuk është më një surprizë në skenën ndërkombëtare – është një skuadër me identitet të qartë dhe ambicie të mëdha.
Suksesi eventual i Ballkanit do të përbënte një tjetër arritje të madhe për futbollin kosovar në arenën ndërkombëtare, duke vazhduar traditën e sukseseve të viteve të fundit në garat evropiane.
Dueli mes Shamrock Rovers dhe Ballkanit zhvillohet sonte, me fillim nga ora 21:00.