Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se kjo parti nuk do t’i referojë më në Gjykatën Kushtetuese projektligjet e propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ajo theksoi se një vendim i tillë vjen pasi, sipas saj, pushteti po e përdor dërgimin e ligjeve në Kushtetuese si justifikim për mosrealizimin e politikave dhe dështimet në qeverisje.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Bajrami ngriti shqetësime për menaxhimin e sektorit të energjisë dhe tregut të naftës, duke thënë se institucionet nuk kanë arritur të kontrollojnë çmimet. Ajo përmendi edhe raportime dhe hetime të mëhershme që tregojnë për çmime shumë të larta të energjisë, duke kritikuar Zyrën e Rregullatorit për Energji për mungesë ndërhyrjeje efektive.
Sipas saj, Qeveria nuk ka ndërmarrë hapa konkretë as në fushën e energjisë e as në atë të naftës.







