Deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami i ka reaguar ministrit të Financave, Hekuran Murati në lidhje me raportin e Bankës Botërore për jetëgjatësinë e qytetarëve në vendet e Ballkanit.
Ajo tha se për gati katër vjet nuk është sjell asnjë investim i huaj Kosovë e as investime kapitale.
“Derisa po tentojnë të mashtrojnë qytetarët se është rritur “cilësia e jetës në Kosovë”, partisë së propagandës po ia kujtoj se për gati katër vjet s’ka sjellë asnjë investim serioz të huaj; s’ka investime kapitale; s’ka rrugë të përfunduara siç i mashtronin qytetarët gjatë fushatës se brenda një viti do të përfundojnë rrugën për Podujevë, për Gjilan, për Mitrovicë etj.”, ka deklaruar Bajrami.
Deputetja opozitare thotë se ende është i freskët dështimi i Qeverisë për ta anëtarësuar Republikën e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Ka heshtje dhe miratim nga partia e mashtrimit dhe propagandës për Shefen e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes që koordinohet me Radojçiqin. Duhet rikujtuar se shkaku i kësaj Qeverie, Kosova vazhdon të humbë qindra miliona euro nga sanksionet e BE-së. Partia e propagandës dhe mashtrimeve nuk ia solli asnjë njohje Kosovës për gati katër vjet keqqeverisje. Qeveria po vazhdon që buxhetin ta ‘alokojë’ te dostat përmes tenderëve njëburimor. Në krye të arsimit kemi një shkelëse të Kushtetutës. Kanë mashtruar që kanë premtuar ndërtimin e 160 çerdheve e ende s’i kanë ndërtuar as 10 prej tyre”, deklaroi ajo.