Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në rigjykim për të tretën herë, e dënoi me 25 vite burgim Enver Sekiraqën.
Sekiraqën, Gjykata e shpalli fajtor për nxitje të vrasjes së ish-policit Triumf Riza.
Përmes një aktvendimi të veçantë, atij iu ndërpre edhe masa e arrestit shtëpiak, që nënkupton se derisa vendimi për vuajtje të dënimit të bëhet i plotfuqishëm, i pandehuri Sekiraqa do të jetë i lirë.
“I akuzuari Enver Sekiraqa është fajtor për veprën penale nxitje në vrasje të rëndë dhe i njëjti gjykohet dënim me burgim në kohëzgjatje prej 25 viteve në të cilin vendim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhearrest shtëpiak”, tha kryetari i trupit gjykues, Agim Kuçi.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit, në seancë nuk ishte i pranishëm Enver Sekiraqa.
E i zhgënjyer me këtë vendim është shprehur babai i Triumf Rizës.
“Është një gjykim që është zgjatë më së shumti në historinë e gjykatave të Kosovës për 17 vjet, unë nuk po e kuptoj qysh është e mundur në këtë shoqërinë tonë me qenë më të vlefshëm kriminelët se sa një polic që është shpallur hero”, tha babai i Triumfit, Shefqet Riza.
Tutje Shefqet Riza ka thënë se i ka humbur besimi në institucionet e drejtësisë.
“Natyrisht që është dënimi i ulët, sepse ky është vrasës kryesor, nuk janë të tjerët, ky i ka nxit unë edhe në fjalë përfundimtare e thashë Hitleri ska vra kërkon, por Hitleri i ka nxit të tjerët me bo krime kundër njerëzimit, ky ka qenë fajtori kryesor ky është dashtë me marrë dënimin e meritum”, tha ai.
Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe e kishte dënuar me 30 vite burgim, por shkalla e dytë e kishte kthyer përsëri në rigjykim rastin.
Ish-polici Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007 kurse për vrasjen e tij është dënuar me 35 vite burg Arben Berisha.
Kronikë e realizuar nga gazetarja, Gresa Bardhecaj.